Në Qendrën Informative të BE-së sot u mbajt tryeza e rrumbullakët me temë “Ndërgjegjësimi i medias dhe praktika e së drejtës së mbrojtjes së të dhënave personale dhe qasjes së lirë deri tek informatat në Republikën e Maqedonisë” si pjesë e projektit “Mbrojtja e të dhënave personale dhe mediat”, që financohet nga Bashkimi Evropian. Në kuadër të këtij projekti, është zbatuar studim për ndërgjegjësimin e medias dhe praktikën në Republikën e Maqedonisë lidhur me të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale, ndërsa me theks të veçantë në bilancin mes mbrojtjes së privatësisë nga njëra anë dhe lirisë së shprehjes, gjegjësisht ajo që do të thotë interes publik nga ana tjetër.
“Ajo që u vërtetua si mangësi më e madhe lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale në sferën mediale në Maqedoni, është pikërisht ajo vija e hollë mes nevojës për të informuar me kohë dhe në mënyrë relevante, që nga ana tjetër do të thotë se nevojitet që të sigurohet privatësia dhe të mbrohet identiteti i individëve”, tha Lubica Pendaroska, e cila punon si eksperte në projekt. Si rrezikim më të shpeshtë të të dhënave personale në Maqedoni, Pendaroska përmend publikimin e shkrimeve që ka të bëjnë për persona që kanë kryer vepra penale ose të personave kundër të cilëve zhvillohet procedurë, gjegjësisht publikohen të dhënat e tyre personale derisa zgjat periudha e prezumimit të pafajësisë.
Si dobësi më e madhe e detektuar gjatë studimit, Pendaroska theksoi informacionet që publikohen, ndërsa ndërlidhen me politikanët, në rastin kur informacioni nuk është me interes publik, ndërsa megjithatë publikohet. Liderja ekipore e projektit, Natasha Pirc Musar nga Sllovenia, konsideron se mbrojtja e të dhënave personale, gjegjësisht publikimi i materialit që nuk është në interes publik, mund në masë të konsiderueshme të cenojë një personalitet të caktuar, ndërsa me këtë rast siç thekson ajo, publikuesi/gazetari, nuk do të ketë mundësi që ta përmirësojë atë. Krahas studimit, në kuadër të projektit do të hartohet një doracak, i cili do të shërbejë që t’u ndihmojë punonjësve të medias gjatë informimit të përditshëm.