Një nga emrat më të njohur të skenës muzikore që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm si këngëtar e producent është padyshim Shkumbin Kryeziu. Edhe pse jo shumë aktiv me këngë, ai tregon se po bën projekte tjera që lidhen me skenën. Këto e shumë gjëra të tjera që kanë të bëjnë dhe me familjen e tij të mrekullueshme artisti i rrëfen në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Pas gjithë këtyre viteve karrierë mund të quheni edhe veteran të skenës shqiptare, si e shihni muzikën dhe evaluimin e saj gjatë gjithë kësaj kohe?
Fjala veteran tani në këtë kohë ka marrë konotacion tjetër për shkak të keqpërdorimeve që bënë me lista të veteranëve, por në muzikë jam një kohë bukur të gjatë dhe mendoj se ka shumë për të thënë dhe për të bërë, duhet pranuar se sot ka bukur realizime të mira edhe pse me mundësitë që janë aktuale shumë më shumë mundet me u ngrit niveli, në të kaluarën ma pasur përkujdesje më të madhe artistike, është një themel i mirë për të sotmen. Sot vërehet një nguti në punë dhe realizim të këngës, vërejtje kam tek tekstet mediokre që janë shumë prezente dhe stili i bastardhuararabik, kuptohet dëshira për hit shpesh herë e ulë nivelin e kriterin. Personalisht do të përpiqem që si producent dhe autor t’i qëndroj besnik punës artistike profesionale.
KOHA: Ndonëse Mimoza ka realizuar ndonjë projekt gjatë kohës së fundit, ti Shkumbin nuk ke qenë edhe shumë aktiv në muzikë, pse?
Aktiv kam qenë me produksionin Labia të cilin e udhëheq tash e 28 vjet, projektet festive, klipe të realizuara kanë bëre që vet mos të promovoj ndonjë këngë të re. Jam i përkushtuar në produksion dhe kjo më bën të ndjehem mirë. Do të publikoj gjatë këtyre dy muajve dy këngë të reja, njëra vetëm se promovohet në projektin e radhës Labia Show!
KOHA: Koha në të cilën keni pauzuar, çfarë keni punuar na thoni?
Në fakt, nuk kam pauzuar fare, kam realizuar 2 filma artistik si producent dhe 6 episode. Fjale është për filmin Kodi i Jetës dhe serialin me 6 episode me tematikë nga lufta e fundit në Kosovë dhe filmin “Dashuria e bjeshkëve të nemura 2”, pastaj prapë ju ktheva audio produksionit dhe showbizit.
KOHA: Megjithatë, jeni rikthyer tashmë edhe si produksion edhe si këngëtarë, cilat janë të rejat që do na servoni?
E ceka më lartë, ‘nonstop’ ka këngë e projekte të reja, me 27 maj realizohet një show me moton “Dashuri verore” dhe do të ketë shumë prurje të reja dhe potpuri nga Grupi Labia. Pro Band dhe Ganja poashtu në kuadër të produksionit Labia sjellin dy super projekte muzikore në ditët dhe javët në vazhdim.
KOHA: Ju jeni prindër të dy fëmijëve, keni menduar të zgjeroni familjen edhe me ndonjë fëmijë tjetër apo mjafton me kaq?
Unë jam prind i 4 fëmijëve – 3 djemve të shenjtë që i kam dhe një vajze poashtu të shenjtë. Nuk e kemi në plan për ndonjë fëmijë tjetër. Pasuri e jetës dhe motiv i jetës janë për mu fëmijët.
KOHA: Fëmijët, po ndjekin rrugën tuaj të artit?
Nuk ju kam imponuar asnjëherë fëmijëve që të merren me muzikë Rroni djali i madh edhe është marrë me muzikë, 2 albume i ka botuar në stilin e muzikës rap, tani nuk e di djali i vogël ka shumë talent por do presim edhe ndonjë vit dhe që ka dëshirë do ta përkrahë pafund.
KOHA: Rivaliteti në skenë viteve të fundit është shtuar shumë, si ka qenë më herët?
Rivaliteti ka ekzistuar gjithmonë apo më mirë të them konkurrenca, normale është bile pa konkurrencë nuk ka as motiv e as përparim, nëse është një konkurrencë e shëndoshë është pozitive por vërej gjëra që më pengojnë kur bëjnë rënie të ulta apo veprime shumë irrituese dhe mundohem që të jem sa më larg dhe mos t’i trajtoj veprimet e tilla edhe injorante kisha me thënë.
KOHA: Do na zbuloni ndonjë sekret të njëri-tjetrit?
Hmmm, sekret, janë disa gjëra që mbesin sekret por që një me bie ndërmend që Mimoza frikësohet nga kafshët shumë, nga qeni dhe miu tepër frikësohet tjetër sekret është frika e Mimozës nga lundrimi me anije. Unë për vete nuk i ha disa ushqime si domate të zeza asnjëherë, kungulleshë kurrë dhe e kam bezdi rrezitjen klasike, i shtrirë me orë, lëvizi një diell por jo me i dal ferr diellit (qesh).
KOHA: A keni pasur ndonjëherë rast xhelozie që mund të ketë shkaktuar inat të madh tek ju?
Xhelozia është shenjë e dashurisë normal që po por jo deri te një inatosje e madhe, po flas për të dytë, mendoj se respekti pjekuria e partnereve e bën çështjen e xhelozisë inekzistente.
KOHA: Jeni shumë vite në lidhje martesore, cili është sekreti që do e ndanit me të rinjtë të marrin shembull te ju?
E thashë edhe më herët respekti, komunikimi i sinqertë me partnerin, toleranca e mbi të gjitha dashuria janë çelësi i lumturisë, sekreti është që mos me pas sekrete. Karakteret mes dyve duhet të përshtaten dhe pa përputhje të karaktereve nuk ka harmoni. Janë këto disa nga shumë sekrete për një lidhje të mirë.