Është një yll i muzikës shqiptare, një nga vokalet më të mira që ka skena jonë dhe që ka arritur të bëjë karrierë të pasur muzikore vetëm falë talentit e punës. Shkumbin Ismaili, ky djalë talent me zërin melankolik vjen në një bisedë për InfraRed të gazetës KOHA ku tregon sakrificën për të arritur atë që të gjithë e dëshirojnë, suksese!
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Mban mend fillimet e karrierës?
Si çdo fillim tjetër që nuk i dihet përfundimi, suksesi apo sfidat që të dalin më tutje. Për të pasur sukses duhet që të kesh vetëbesim dhe vendosmëri, assesi hamendje.
KOHA: Do kishe dashur të rikthehesh dhe njëherë në fillim?
Jo, dua të eci përpara duke mos e harruar të kaluarën.
KOHA: Ka qenë e vështirë?
Normalisht që po. Në këtë kohë pa kohë ku triumfon antivlera mbi vlerën ti duhet të luftosh kundër të parës për ta kultivuar të dytën.
KOHA: Midis televizionit, radios dhe shtypit të shkruar cilin do të zgjidhje për intervistë?
Nuk dua të jem prezent në mediume për gjëra të kota. Zakonisht jap intervistë shumë rrallë dhe në momente kur kam çfarë të them. Do zgjidhja pyetjet jo mediumin.
KOHA: Të vjen keq që radio nuk është më aq e fuqishme sa ka qenë dikur?
Mediumi bëhet i fuqishëm kur ka gazetarë të mirëfillte dhe profesional. Unë shumë pak kohën e fundit dëgjoj radio dhe shikoj TV. Nuk di ndoshta edhe radiot do e marrin veten përsëri!
KOHA: Për çfarë ke studiuar?
Regji filmi në USHT.
KOHA: Të vjen keq që nuk ke vazhduar një fushë tjetër, por je përkushtuar muzikës?
Jo, mendoj se kam sukses në muzikë dhe duhet të vazhdoj të bëj këtë me punë dhe përkushtim.
KOHA: Ka qenë e thjeshtë për ty të futesh në botën e muzikës? Ishte diçka që e ëndërroje apo erdhi spontanisht?
E kam trashëgim nga babai im.
KOHA: Ka shumë konkurrencë në media, ashtu siç thuhet? Domethënë, ti ke hasur shumë konkurrencë?
Konkurrenca sjellë sukses. Vërtetë ka disa këngëtarë, bende që merren me Pop Rock muzikë dhe janë shumë të suksesshëm. Ku jam unë në pop muzikën shqiptare le ta vlerësojë publiku dhe ju mediumet.
KOHA: Një këngëtarë që ka shërbyer si model frymëzimi për ty?
Para dhe në fillim të karrierës dëgjoja Michael Jackson, Bon Jovi, Guns n Roses, Deep Purple e shumë tjerë.
KOHA: Një eksperiencë që të ka rritur profesionalisht dhe që e vlerëson si më të rëndësishmen për ty?
Secilin artist apo aktorë e rrit skena. Publiku është ai që të rrit profesionalisht, por ndodh edhe e kundërta nëse të rritet mendja e jo karriera!
KOHA: Është e vështirë të punosh me këngëtarë tjetër duke e ditur se në koncerte në shumicën e rasteve jeni më shumë të ftuar?
E kam vështirë kur duhet të këndoj bashkë në ndonjë koncert me këngëtarë që këndojnë tallava, sepse janë dy zhanre shumë të ndryshme larg njëra-tjetrës.
KOHA: Personazhi më i vështirë që ke bashkëpunuar deri më tani?
Jam shumë prezent në koncerte dhe shpesh has në personazhe të ndryshëm. Unë jam korrekt me të gjithë dhe të gjithë më kthejnë me korrektësi maksimale.
KOHA: Me cilën nga këngëtaret shqiptare do të bashkëpunoje me qejf për një duet të radhës?
Nuk kam planifikuar për momentin duet, i fundit ishte me Ponin.
KOHA: Merr shpesh kritika se lëvdata e dimë që po?
Më shumë kritika më vijnë nga stafi im me të cilin bashkëpunoj që nga fillimi karrierës, kritika tjera jo. Do doja të kishim kritikë të mirëfilltë artistike por fatkeqësisht nuk kemi dhe mbetet që vetë artistët të kritikohen apo të lavdërohen mes vete.
KOHA: Si është marrëdhënia jote me kolegët e skenës?
Unë kam qasje korrekte me të gjithë.
KOHA: Një gjë që publiku nuk e di për ty?
Burimin e sukseseve të mia.