Shkrirja e akullnajave do të çlirojë disa tonë baktere

Një e panjohur e madhe mund ta presë planetin tonë. Një sasi tepër e konsiderueshme e baktereve mund të çlirohet me shkrirjen e akullnajave të botës, për shkak të ndryshimeve klimatike. Paralajmërimi lëshohet nga shkencëtarët. BBC shkruan se patogjenë potencialisht të dëmshëm janë mes mijëra mikrobeve që mund të përhapen në lumenj dhe liqene. Shkencëtarët në Universitetin Aberystwyth në Uells të Britanisë së Madhe, thonë se studimi i tyre nxjerr në pah nevojën për të vepruar shpejt në frenimin e ngrohjes globale.

“Numri i mikrobeve që do të lëshohet varet gjerësisht nga sa shpejt akullnajat shkrihen, thënë ndryshe nga sa shumë ne do të vazhdojmë ta ngrohim planetin”, thotë Dr. Arwyn Edwards, mikrobiolog.

Ekipi i shkencëtarëve në universitetin e Uellsit, që kanë studiuar ujin e shkrirë nga 8 akullnaja përreth Europës, Amerikës së Veriut dhe dy zonave në Groenlandë kanë bërë dhe një vlerësim se çfarë përmban masa e akujve e formuar me qindra apo mijëra vite. Ekspertët paralajmëruan se më shumë se 100 mijë tonë mikrobe, të tilla si bakteret, mund të çlirohen në mjedis në 80 vitet e ardhshme, një shifër sa të gjitha qelizat e çdo trupi njerëzor në tokë. Mikroorganizma të ndryshme janë gjetur në akullnaja, apo të ruajtura brenda tyre, me disa që konsiderohen të dëmshme për njerëzit.

Advertisements