Mbrojtësi i Sllovakisë, Milan Shkriniar, ka dhënë një intervistë të shkurtër për “Mediaset Premium”, gjatë një evenimenti në Milano, ku është pyetur në lidhje me thashethemet që e shohin ta vazhdojë karrierën te gjigantët spanjollë të Barcelonës. Shkriniar erdhi te Interi nga Sampdoria, gjatë merkatos së verës dhe ka lënë një përshtypje të shkëlqyer në këtë fillim sezoni duke ngjallur interesimin e disa klubeve të mëdha.
“Nuk jam i interesuar për merkato. I përkas Interit dhe objektivi im është të jem i suksesshëm me Interin. Dua të fitoj trofe, nuk jam i interesuar për Barcelonën”, tha Shkriniar. Futbollisti, që kushtoi 25 milionë euro, foli edhe për ndeshjen e ardhshme në Serie A, kundër Sassuolos, në “San Siro”, të shtunën pasdite.
“Nuk do të jetë e lehtë. Ne e dinim edhe më parë këtë. Të gjithë së bashku jemi stërvitur këto ditë pas humbjes ndaj Udinese dhe do të jemi gati për ndeshje. Jam shumë i lumtur me sezonin dhe me çfarë kam bërë deri tani dhe uroj të vazhdoj në të tillë mënyrë, mundësisht edhe duke shënuar gola. Objektivi që kemi është ta rikthejmë Interin në ‘Champions League’,” – përfundoi futbollisti zbulim i këtij sezoni.