Autorja e librave të Harry Potter, Joanne Rowling ka dhuruar 18.8 milionë Dollarë për të inkurajuar kërkimet shkencore në gjetjen e kurës për sëmundjen e sklerozës së shumëfishtë. Paratë kanë shkuar për klinikën “Anne Rowling”, që është themeluar në vitin 2010, falë kontributit të shkrimtares.
Qëndra mjekësore mban emrin e nënës së Joanne, e cila vdiq në moshën 54-vjeçare nga kjo sëmundje. Kjo humbje e madhe për shkrimtaren bëri që të përfshihet gjithnjë e më shumë në përpjekjet për të gjetur një kurë për personat që vuajnë nga ky problem shëndetësor.
Ajo është shprehur se do të vazhdojë të dhurojë para për zhvillimin e kërkimeve dhe do të jetë e pakursyer në mbështetjen e saj. Skleroza e shumëfishtë dëmton qelizat nervore në tru dhe në palcën kurrizore. Për pasojë, sistemi nervor nuk arrin të komunikojë, duke shkaktuar probleme në shikim, lodhje, humbje të ekuilibrit dhe dhimbje.