Fadil Bekteshi luftoi me jetën për të mbetur njeri dhe luftoi me njeriun për të mbetur krijues. Lufta e tij kishte brenda revoltë, kurse mimetika krijuese që ai në vazhdimësi e thadronte përmes një procedimi mjaft inventiv krijues
Nga Emin AZEMI
‘Sa e sa vepra letrare, sa e sa reportazhe gazetareske, sa e sa xhirime filmike , në pamundësi për t’u shfaqur…u përplasën për muret e absurdit. Në kazanin e katrahurës zhdanoviane qindra motive u farmakosën, po edhe po aq pena krijuesish ambicioz u topitën në ujin e zi të tmerrit antishqiptar e antinjerëzor…Ndër ata që përjetuan këtë shembje vlerash, këtë gjueti të egër mbi intelektualët shqiptarë, qe edhe Fadil Bekteshi, nga katundi Llopat i Kumanovës, shkrimtar dhe gazetar i dikurshëm i Televizionit të Prishtinës, i cili në vitin 1982 u dëbua nga puna vetëm pse kishte zbatuar drejtshkrimin e gjuhës shqipe (në kohën kur e larguan nga puna kryente punën e lektorit). Dhe në pamundësi për t’i dënuar autorët e drejtshkrimit të shqipes (të cilët fjalës ‘sheshir’ – sllavçe, kishin vendosur t’i thonë republikë), lakejt e politikës antishqiptare iu vërsulën Fadil Bekteshit duke ia ndaluar ushtrimin profesionit dhe duke e nxjerrë në udhë të madhe’.
Kjo është hyrja e një interviste që kisha zhvilluar me Fadilin në tetor të vitit 1990, përmes së cilës, pas tetë viteve kur kishte ndodhur dëbimi i tij nga puna, ai fliste për historikun e ‘mëkateve’ profesionale, për montimet paditëse kundër tij si dhe për kohën e kaluar në burgun famëkeq të Idrizovës.
“Vuajtja e dënimit në Idrizovën famëkeqe, është një kapitull më vete. Megjithatë, përskaj gjithë krajatave, burgu më pasuroi me një përvojë të madhe jetësore. Aty njoha për së afërmi skëterrën idrizoviane, njoha të burgosur politik shqiptarë, që me ndonjë përjashtim të rrallë, me kokën lartë e me një kurajo të habitshme, u përballonin të gjitha provokacioneve të vagobandëve, kriminelëve, maniakëve, të përgatitur enkas nga gardianët e burgut për t’i lëshuar si hienat mbi të burgosurit politik shqiptarë, Mirëpo këtyre provokimeve shqiptarët me dinjitet u bënin ballë. Ata qenë shembull tolerance dhe solidariteti njerëzor mes atyre mureve të trasha me telat gjëmborë mbi ta, me karakollët anësorë që ditë e natë sodisnin me sy korbash atë rreth dantesk që ziente njerëz të gjallë, të privuar nga çdo e drejtë njerëzore. Ajo kohë që iu mbetej të burgosurve politik shqiptarë, gjithnjë i shihje me libra në duar, edhe pse biblioteka e burgut disa herë brenda pak vitesh, qe zbrazur nga librat shqip. Libri qe ai që i dallonte këta bijë më të mirë të popullit shqiptar nga kategori të tjerë të burgosurish, mes të cilëve gëlonte shtëllunga e veseve më të këqija”.
Kështu e përshkruante, në intervistën e lartshënuar, atmosferën dhe ambientin brenda burgut, shkrimtari Fadil Bekteshi. Pse pikërisht me këto fragmente të shkëputura nga inervista me të, vendosa ta filloj këtë sprovë për të skicuar portretin letrar të Fadil Bekteshit?
Në mungesë të marrëdhënieve të drejtpërdrejta lexues-shkrimtar dhe në kushtet kur ata nuk janë aktivë në hapësirën e receptivitetit publik, ka rrezik që të shkaktohet një lloj ‘infarkti’ komunikues. Prandaj, risjlleja në vëmendjen tonë të këtyre detajeve nga jetëshkrimi i këtij autori, hedhin më tepër dritë në përpjekjet tona për ta njohur më mire veprën e tij.
Edhe në këto copëza rrëfimesh në vetë të parë, që ishin thënë tash e gati 30 vite më parë, vihet në spikamë, megjithatë, aftësia vrojtuese e tij prej krijuesi, duke nxjerrë në pah dimensionet më të qenësishme dhe trajtat më tragjike të një jete që ishte e privuar nga çdo lloj lirie njerëzore. Plasticitetin e këtij vrojtimi ne do ta ndeshim në gjithë arealin krijues që ai la pas vetes, duke filluar nga krijimet e hershme për fëmijë, sidomos në vëllimin me tregime ‘Balloni’ e deri te baladat e fundit lirike, ‘Filxhan i dashurisë’, ku shkrimtari Fadil Bekteshi ndërton në kontinuitet parabolën e tij letrare.
Leximi i veprës letrare të Fadil Bekteshit ndërlidhet jo vetëm me çështjet e komunikimit që kjo vepër pati me rrethe të caktuara lexuesish, moshash, gjinish e afinitetesh të ndryshme ideo-estetike, por edhe me vet statusin e këtij shkrimtari në bibliografinë teoriko-letrare, e cila duhet thënë se është e paplotë dhe e lënë disi në harresë nga pakujdesia dhe shpërfillja. Një vepër apo një autor do ta bëjë jetën e vet aktive në rrafshin e receptivitetit publik, varësisht sa ajo vepër apo ai autor ushtrojnë ndikim të drejtpërdejt në komunikimin e çdoditshëm dhe sa vlerat që ata prodhojnë krijojnë efekte estetike-letrare në atmosferën përgjithshme kulturore e krijuese. Me fjalë të tjera, një vepër, apo një autor, siç ishte rasti edhe me disa shkrimtarë tanë, bie fjala Ernest Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa e ndonjë tjetër, jetën e tyre aktive në sferën publike e kishin të kushtëzuar, parasegjithash, nga shkalla e lexueshmërisë dhe studimi letrar, që ishin të munguar dhe të fragmentuar madje edhe të ekskomunikuar.
Nuk do të donim të paracaktonim ndonjë kualifikim prejudikues që lidhet ngusht me statusin publik të receptivitetit të veprës letrare të Fadil Bekteshit, por realisht ka ndodhë një anatemim i heshtur i këtij krijuesi, edhe atë jo nga motive që ishin të njohura dikur, e që kishin të bënin kryesisht me mekanizmat shtetëror të censurës, por thjeshtë nga shpërfillja që vie si rezultat i defokusimit tonë të përgjithshëm kulturologjik. Si pasojë e këtij defokusimi ne sot mund të flasim për faqe të tëra të harruara e të palexuara të letërsisë sonë për fëmijë që nuk iu servohen lexuesve të vegjël dhe të rijë. Për ta vërtetuar këtë konstatim ne sot mund të bëjmë një provë përmes një ankete, ku do të detektonim disa nga interesimet e nxënësve-lexues për veprat e shkrimtarëve për fëmijë. Sigurisht që në foksin e këtyre interesimeve mund të përfshijmë edhe librin me tregime ‘Balloni’ të Fadil Bekteshit, një vepër model e botuar në vitin 1981 dhe e tërhequr pas një kohe nga qarkullimi, si pasojë e përndjekjes policore ndaj autorit që zgjati plot 11 vite. Përgjigjet e kësaj ankete sigurisht që mund tÇi marrim me mend, por që do të kenë një emërues të përbashkët: harresën vrastare që e shkakton keqedukimi dhe sistemi i pa konsoliduar i vlerave morale kulturore.
Edhe Fadil Bekteshi si autor u desht të ballafaqohet me sistemin zhdanovian të ‘cenzorkuqve’, siç parapëlqente të thoshte ai, në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, duke bartur mbi kurriz të gjitha reperkusionet që sillte vrazhdësia e atij sistemi.
Fadil Bekteshi i takon brezit të shkrimtarëve të viteve shtatëdhjetë që u artikulua me pjekuri krijuese në vitet tetëdhjetë, dhe bashkë me Nehas Sopajn, një përfaqësues tjetër emblematik i këtij krahut të letërsisë shqipe, ndikoi në emancipimin e atmosferës krijuese në rajonin e Kumanovës, dhe më gjerë, duke kontribuuar për shumë vite në zhvillimin e një jete aktive letrare, përmes manifestimeve, botimeve dhe aktiviteteve në kuadër të klubit letrar ‘Jehona e Karadakut’ dhe revistës ‘Doruntina’, e themeluar dhe drejtuar nga ai për shumë vite, që ishte dhe mbeti tribuna kryesore e përfaqësimit dinjitoz të vlerave letrare e krijuese nga ky rajon, por edhe më gjerë.
Fadil Bekteshi luftoi me jetën për të mbetur njeri dhe luftoi me njeriun për të mbetur krijues. Lufta e tij kishte brenda revoltë, kurse mimetika krijuese që ai në vazhdimësi e thadronte përmes një procedimi mjaft inventiv krijues, si në prozë te tregimet për fëmijë dhe sidomos te tregimet eseistike të përmbledhur në librin ‘Udhëtim nëpër skëterrë’, te baladat lirike ‘Filxhan i Dashurisë’, por edhe në publicistikë, siç mund të jetë libri me skica portretesh e bashkëbisedimesh ‘Na ishte një herë një gjeneral’,kushtuar artistëve e regjisorëve të shquar, në fakt ishte një hark i ngrehur kundër padrejtësisë, dredhive, fjalëve të liga.
Fadil Bekteshi nuk do të ishte ai që gjithë e njohëm, po qese nuk do ta kishte protestën dhe refuzimin ndaj të keqes indin aktiv që bashkonte në një pikë graviteti gjithë kredon e tij etike, njerëzore e krijuese. Te shkrimtarët që nuk e ndajnë imanencën krijuese nga bota njerëzore që ata përfaqësojnë, ka qenë e pranishme lidhja kauzale që fati e krijimtarisë, të ndiqet nga fati i autorit, dhe anasjelltas, kurse ky i fundit, siç ka ndodhur zakonisht me disa autorë të spikatur, bie fjala me Pushkinin , por edhe me motivet e Nositit te Lasgushi, dhe ndonjë tjetër, është udhëhequr nga ideja e vetëflijimit, ose siç e thotë vetë Fadil Bekteshi në përmbyllje të librit ‘Filgjan i dashurisë’, ‘Sipas të gjitha gjasave, kryevepra ime do të jetë vetëflijimi për të tjerët’
Gërshetimi i fatit dhe fatalitetit, i dashurisë dhe tragjizmit në jetën e një shkrimtari përçohen nga një fije e padukshme fibrike. Fadil Bekteshi nuk e deshi fatalitetin në letërsi, por ai iu bë pjesë e rrugëtimit të tij në jetë.
Nëse në tragjedinë greke fataliteti binte mbi atë qe kishte shkelur kanonet e pashkruara për te cilat vihen ne mbrojtje perënditë, në letërsinë e F.Bekteshit, sidomos në baladat e tij lirike, fataliteti jetësor kalonte nëpër një teh shpate ku lufta zhvillohej midis moralit publik dhe ndjenjave që prodhon dashuria e gabuar…. Ajo çka ishte e zakonshme, bie fjala te Eskili, Euripidi, Sofokliu, ku në të gjitha tragjeditë e tyre perënditë marrin pjesë si personazhe me të drejta te plota, në baladat lirike të F. Bekteshit është një personazh i padukshëm , një demiurg, që gjithashtu është gjithkund prezent, të cilin autori e ka paraqitur si një gojë llafazane, një gojë e ligë, që vazhdimisht flet, pëshpërit dhe që në instancë të fundit bëhet pjesë e një labirinti fatkob brenda të cilit subjekti lirik përfundon si një Hero me fat të paracaktuar, ku siç do të thoshte autori ‘Vdekur të Vajtoj Dashuroj, Gjallë as t’Urrej as t’Mallkoj! Mbaroj!’ atje ku ’Gojëligat qendisin anatemën’.
Poetika e Fadil Bekteshit e shprehur në të gjitha zhanret përmbledh në një subjekt të thjeshtë e të sintetizuar kohën dhe hapësirën e zhvillimit të ngjarjeve e ideve, kurse lexuesit i mbetet të bluaj trajtat e patretura të një letërsie e cila vazhdon të na ftojë në shpalime e komunikime të reja. Gjeneratave të reja të lexuesve dhe studiuesve iu mbetet të plotësojnë boshllëkun që e krijoi mospërfillja jonë ndaj krijuesve që me gjuhën e shkrimit kishin lënë gjurmë dhe ishin bërë gjuhë e identifikimit të një kohe edhe një hapësire. I tillë do të mbahet mend edhe shkrimtari i protestës dhe indinjatës njerëzore, Fadil Bekteshi.
12 qershor 2019