Dibër, 3 prill – Me paraqitjen e rasteve të para të virusit COVID-19 në Dibër dhe përhapja e këtij virusi nga mesi i muajit mars, lindi nevoja që në Spitalin e përgjithshëm të Dibrës të ketë përforcime të kuadrit mjekësor – sidomos epidemiolog dhe infektolog. Andaj, Qeveria respektivisht Ministria e Shëndetësisë dërgoi në këtë institucion shëndetësor pesë mjekë edhe atë një infektolog, dy pulmolog dhe dy pediatër, shkruan gazeta KOHA.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Dibër, Baki Alili, na informoi se përforcimet mjekësore nga mesi i muajit të kaluar që arritën në Dibër ishte një ndihmesë e madhe për ne dibranët, por edhe si institucion. “Në këtë institucion shëndetësor ka një epidemiolog dhe dy infektolog, por nevojitej edhe kuadër plotësues për t’ju dalë në ndihmë dibranëve”, theksoi Alili. Ai shtoi se këta mjek u inkorporuan në Spitalin e Dibrës duke sakrifikuar gjithçka dhe erdhëm për të na dalë në ndihmë në këto momente tejet të vështira. “Ata u angazhuan me gjithë kontributin e tyre dhe dhanë maksimumin për t’ju dalë në ndihmë atyre që kishin nevojë. Pas dy javë qëndrim në Dibër, mjekët në fjalë sot lëshuan Dibrën. U jemi mirënjohës si institucion, por edhe mbarë qyteti”, shtoi Alili.
Pas largimit të grupit të parë të mjekëve që ishin përforcues në Spitalin e Përgjithshëm të Dibrës, dje arriti edhe ekipi mjekësor tjetër i cili po ashtu do të jetë në shërbim të dibranëve për dy javët në vazhdim. Ky grup është i përbërë nga një infektolog, dy pulmolog, dhe një pediatër. (V.S/koha.mk)