Tash më kur janë hartuar programet studimore nëpër universitet dhe drejtimet nëpër shkolla të mesme, mbase është vonë të shpiket ndonjë risi, por mbetet i palëkundur konstatimi se ekonomia vendore nuk vuan gjithaq nga investimet e jashtme dhe të brendshme, sa vuan nga një profilizim më adekuat me kuadro që do të ishin të konkurrueshëm në tregun e punës, me ide e vizione që tash më i kanë kolegët e tyre nëpër gjigantet ekonomike e industriale të botës
Nga Emin AZEMI
Orientimi i të rinjve për tu regjistruar nëpër shkolla dhe universitete sikur ka ngelë vetëm barrë e tyre, ndërkohë që profesionalizimi i arsimit nuk po e ka qasjen e duhur nga institucionet përkatëse. Të rinjtë tanë ende hezitojnë të regjistrohen nëpër shkolla profesionale, sepse nuk ndjehen të sigurt nëse nesër do të kenë perspektivë me shkollën e mbaruar. Strategjia e munguar kombëtare e lidhjes së arsimit me ekonominë, gjegjësisht me tregun e punës, vazhdon të krijojë dilema te një pjesë e madhe e popullatës e cila sikur po parapëlqen (dhe po punon në atë drejtim) alternativa jashtë vendit për punësim.
Treguesit e gjendjes në terren nuk janë aspak inkurajues sa i përket absorbimit të fuqisë së kualifikuar punëtore për profile të caktuara, bie fjala, në ndërtimtari, mekanikë precize, agrikulturë, ndërkohë që për çdo vit ngelin të zbrazët qindra vende pa u plotësuar në konkurset e shkollave profesionale. Pra mungon nj hallkë që i bashkon interesat dhe nevojat. Mungon një strategji që do ta parandalonte, në njërën anën, largimin masovik të rinjve jashtë vendit dhe në anën tjetër, kompanitë dhe institucionet përkatëse nuk po bëjnë hapa konkret në rekrutimin e kuadrove për nevojat e tyre. Sikur të ndahej një fond i caktuar nga kompanitë që do të merrej me stipendimin e të rinjve, situata do të ndryshojë deri diku. Në këtë drejtim edhe institucionet shtetërore, përmes parave publike, mund të bëhen mbështetës të këtyre ideve. Me fjalë të tjera, arsimi profesional i pa mbështetur në formë bursash, do të vazhdojë të prodhojë kuadro që si synim do ta kenë sërish shkuarjen jashtë vendit.
Një ekonomi është perspektive nëse planifikon kuadro që do t jenë në krye të projekteve. Por kjo nuk mund të bëhet pa një strategji të mirëfilltë. Ëndrra e të rinjve të diplomuar nuk duhet të jetë mësimi i gjermanishtes për tu punësuar në ndonjë Mc’Donaldts në Gjermani. Por, shkollimi i tyre te ne ende nuk po kushtëzohet me punësim në vendlindje. Në cilën shkollë profesionale trokitën menaxherët e ndonjë kompanie për të ndarë bursa për nxënës, të cilët nesër mund të punësohen në kompaninë e tyre? Në anën tjetër, edhe Ministria e Arsimit, bashkë me dikasteret tjerë duhet të shqyrtojë strategjinë e bashkëpunimit në mes të shkollave dhe ekonomisë, duke krijuar edhe fonde financiare për një numër të konsiderueshëm nxënësish a studentësh.
Vetëm me hapa konkretë mund të përmbysim këtë realitet të zymtë që për çdo ditë po ua vret shpresat të rinjve. Ekonomia e Maqedonisë mund të mos jetë gjithaq e fuqishme për të bartë barrën e gjithë zhvillimit social në vend, por ajo, të paktën, do të duhej të orientohet në degë perspektive që mund ti gjejë në arsimin profesional. Nëse shumë kuadro po shkojnë dhe po e gjejnë veten në kompani të ndryshme nëpër botë, kjo të jep të kuptosh se te ne nuk mungojnë resurset dhe kapacitetet profesionale, por mungon një strategji që ato resurse të angazhohen në ekonominë vendore.
Tash më kur janë hartuar programet studimore nëpër universitet dhe drejtimet nëpër shkolla të mesme, mbase është vonë të shpiket ndonjë risi, por mbetet i palëkundur konstatimi se ekonomia vendore nuk vuan gjithaq nga investimet e jashtme dhe të brendshme, sa vuan nga një profilizim më adekuat me kuadro që do të ishin të konkurrueshëm në tregun e punës, me ide e vizione që tash më i kanë kolegët e tyre nëpër gjigantet ekonomike e industriale të botës. (koha.mk)