Qenan HASANI
Manastir, 10 tetor – Në vitin 1975, në vlugun më të madh të shpërnguljes së shqiptarëve të Manastirit për në tokën e aborixhinëve, Australi, djaloshi i ri, Valer Selimi braktisi detyrën e arsimtarit të matematikës në shkollën fillore tetëvjeçare të fshatit Këshavë dhe mori rrugën ndër këmbë për ta shijuar jetën e kurbetçarit, shkruan gazeta KOHA. I shkolluar në Prishtinë (shkollën e mesme teknike), i brumosur në frymë patriotike, përcaktime këto që nuk i harroi as në Australi, atje ku nostalgjia për vendlindje dhe atdhe është edhe më e madhe, iu rrek aktiviteteve për të bashkuar kurbetçarët nga Manastiri të vendosur në lagjen Dandenong. Duke vërjetur se këtu shumë shpejtë fillon dhe përhapet procesi i asimilimit, duke harruar gjuhën shqipe, Valeri konstaton se vetëm shkrim leximi ruan gjuhën e bukur shqipe, duke u nisur nga fakti se, një gjuhë që nuk shkruhet e nuk lexohet – harrohet, ai bind bashkëvendësit e tij të hapin një paralele plotësuese në gjuhën shqipe.
Pasi që sigurojnë hapësirën dhe inventarin e nevojshëm, nja 50 shqiptarë të vegjël, kryesisht këshavas, fillojnë ta mësojnë alfabetin e vendlindjes, Manastirit. Paralelja mbanë emrin e dikurshëm të shkollës së Këshavës “Emin Duraku”. Paralelja procesin edukativ arsimor e zhvillon vetëm të shtunave e të dielave,atëherë kur prindërit janë të lirë dhe mund t’i dërgojnë fëmijët në shkollë. Arsimdashurinë, Valeri, siç shprehet ai vetë, e ka trashëguar nga gjyshi i tij, Rifati. ”Gjyshi im ishte arsimdashës i flakët. Më 1945, ai çel shkollën të parë me mësim në gjuhën shqipe në fshatin Këshavë. Në mbrëmjen para fillimit të vitit të ri shkollor, forca politike antishqiptare e kanë djegur objektin e teqesë së fshatit, ku është dashur të mbahet mësimi, duke penguar kështu fillimin e vitit shkollor. Gjyshi im, për hir të fillimit të vitit të parë shkollor, për të parën herë në histori në gjuhën shqipe, ka lëshuar në përdorim shtëpinë e madhe familjare, në të cilën janë vendosur edhe nxënësit, edhe arsimtaret e para që kanë qenë nga Shqipëria. Pas kësaj, gjyshi im ka organizuar banorët e fshatit për të pastruar mbeturinat nga zjarri, për ta ndërtuar objektin e ri prej themeli, objekt ky që shërbeu si shkollë deri në vitin 1995-tën, kur u ndërtua shkolla e re dhe moderne. Unë me hapjen e shkollës së parë në gjuhën shqipe në Australi, e plotësova vetëm amanetin e gjyshit tim”, shprehet Valeri.
Paralelja e hapur në Dandenong të Melburnit, edhe pas 42 viteash e vazhdon misionin të vet. Në masë të madhe ka kontribuar në ruajtjen e gjuhës shqipe në këtë kontinent, ku ekzistojnë të gjitha gjasat reale për t’u shuar. ”Nuk e pata lehtë që ta realizojë këtë ide dhe veprim obligativ për secilin shqiptar. Ke shkuar si gurbetçar, punon edhe punë plotësuese në të mirë të ruajtjes së identitetit. Të gjithë punonin gjatë të shtunave dhe të dielave, duke fituar dy fish më shumë, unë punoja me fëmijët tanë, me më të dashurit”, thotë Valeri me krenari, edhe pse e ka lënë anësh interesin material.
Pas nja dy vitesh të kaluara në Australi, Valeri i shtyrë nga nostalgjia për prindërit, për vendlindjen, kthehet në Manastir, me qëllim që të mbetet. Mirëpo, edhe këtu nostalgjia nuk e lë të qetë, tani për nxënësit e paraleles, për bashkëvendësit në Australi. Pasi martohet dhe formon familje, së bashku me bashkëshorten, kthehet në Melburn ku edhe e vazhdon punën me nxënësit shqiptarë. Në kthimin të tij të sërishëm në Melburn në masë të madh ka ndikuar edhe fakti se si i shkolluar në Prishtinë, vazhdimisht ka qenë i përcjellë hap pas hapi. Nuk ka mundur të durojë një jetë nën kontroll, andaj vendos të rikthehet atje ku gëzon të gjitha të drejtat, atje ku sundon demokracia e vërtetë. ”Erdha që të mos kthehem më në kurbet, në Australinë të largët, por ndjekja si shkollar i Prishtinës, trajtimi im nga organet e sigurimit si nacionalist e separatistë, ishte e pamundur të durohen, andaj pasi u martova, vendosa ta vazhdoj jetën e mërgimtarit, në vend të huaj”, thotë Valeri. (koha.mk)