Shkup, 8 mars – Rreth 200 nxënës të fshatit Gurgurnicë, komunë e Bërvenicës kanë fituar shkollë të re përmes Projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale (MSIP) të Ministrisë së Financave e cila realizohet me mbështetje të Bankës botërore dhe BE-së.
Ministri i Financave Dragan Tevdovski, shefi i delegacionit të BE-së Samuel Zhbogar dhe përfaqësuesi i Bankës botërore Bekim Imeri sot kanë vizituar shkollën fillore “Goce Dellçev” në Gurgurnicë. Ata janë shoqëruar nga ministri i Arsimit Arbër Ademi, zëvendësministrja e Financave Shiret Elezi dhe kryetari i komunës së Bërvenicës, Enver Pajaziti.
Shkolla e re kapë vlerën 46 milionë denarë.
“Patjetër të themi se në fillim të vitit kemi realizim të shkëlqyeshëm të Projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale. Mbi tre milionë euro janë investuar në 27 komuna edhe atë në ndërtimin e rrugëve lokale, ujësjellësit, tregut të gjelbër, gjimnazit, ndërtesë komunale. Përmes projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale duam në të gjitha komunat në vend të sigurojmë kushte më të mira për jetë për të gjithë qytetarët”, ka thënë Tevdovski.
Ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar tha se me ndërtimin e shkollës së re përmirësohen kushtet për mësim për fëmijët në Gurgurnicë.
“Ky projekt ndoshta është i vogël, por me rëndësi të madhe për nxënësit e Gurgurnicës. Ata tani kanë shkollë ku çatia nuk pikon, muret nuk janë të ftohta gjatë kohës së dimrit, ndërsa tualetet nuk janë jashtë shkollës. Fëmijëve u nevojitet hapësirë adekuate ku do t’i kalojnë ditët e shkollës dhe të zhvillojnë potencialin e tyre dhe vetëbesimin”, ka thënë Zhbogar.
Përfaqësuesi i Bankës botërore, Bekim Imeri tha se përmirësimi i infrastrukturës shkollore dhe kapaciteteve të komunave për sigurimin e mjedisit cilësor për mësim do të ndihmojë në përmirësimin e rezultateve arsimore si dhe në përmirësimin e kapitalit njerëzor të vendit.
Sipërfaqja e përgjithshme e shkollës është 840 metra katrorë, ndërsa krahas klasave dhe laboratorisë ka edhe hapësira administrative dhe sanitare.
Fondi total i MSIP-së është 81.1 milionë euro. Përmes projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale janë përkrahur mbi 250 projekte kapitale në gjitha komunat e vendit. Bëhet fjalë për projekte kapitale të cilat kontribuojnë në përmirësimin e kushteve për jetë si rrugë lokale, ujësjellës, kanalizim, kopshte, shkolla, thekson Ministria e Financave. (koha.mk)