Laura PAPRANIKU
Shkup, 23 mars – Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme për reformimin arsimit të mesëm profesional, respektivisht orientimit drejt nevojave dhe kërkesave të tregut të punës, prapëseprapë mungojnë rezultatet e duhura, shkruan gazeta KOHA. Pjesa dërmuese e këtij niveli në Maqedoni përfaqësohet nga numër i limituar drejtimesh mjekësore dhe ekonomike. Kjo konfirmohet dhe zyrtarisht nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Strategjia Gjithëpërfshirëse e Arsimit (2017-2012) vëren se “pavarësisht përpjekjeve për përmirësimi e situatës, arsimi i mesëm profesional sfidohet edhe më tej nga shumë probleme”.
Arsimi profesional, sikurse thuhet në këtë dokument, nuk tërheq numër të mjaftueshëm nxënësish, përveç disa drejtimeve të fushave të shëndetësisë, ekonomisë dhe drejtësisë. Në pikat e dobëta të arsimit profesional vërehen gjithashtu mungesa e sistemit bashkëkohor të shkollimit, kapaciteteve të Arsimit Profesional dhe Trajnimit (APT) dhe inkluziviteti. Niveli më i ultë i përfshirjes së nxënësve në arsimin e mesëm, është në drejtimet tre vjeçare. Në vitin shkollor 2014/2015, vetëm 6.3 për qind e nxënësve që ishin regjistruar në shkollat profesionale, ishin në profilet me kohëzgjatje tre vjeçare, ose 3.8 për qind e numrit të përgjithshëm të nxënësve në arsimin e mesëm. Konkretisht, në komplet arsimin e mesëm profesional ishin të përfshirë 49 484 nxënës (rreth 60 për qind e numrit të përgjithshme), prej të cilëve vetëm 3186 në arsimin e mesëm trevjeçar.
Strategjia në fjalë, përcjell KOHA, në mënyrë të qartë nënvizon se “vërehen mos përputhshmëri mes ofertës së kualifikimeve nga sistemi i APT-së me kërkesën e tregut dhe fuqinë e punës, ndërsa sistemi i vendosjes së kualifikimeve të APT-së është joefikas dhe joefiçent, njëlloj sikurse bashkëpunimi mes sektorit të biznesit për trajnim konkret dhe punën praktike të nxënësve në ambientet e punës”. Jo më pak të rënda, sa i përket shkaqeve për situatën e pa lakmueshme të arsimit të mesëm profesional, janë dështimet me kuadrin mësimdhënës, e të cilët kritikohen për “demotivimin e nxënësve në zgjedhjen e këtij lloj shkollimi.
“Vërehen mangësi thelbësore të njohurive që lidhen me teknologjitë bashkëkohore të mësimdhënësve lëndorë dhe kjo gjendje e komplikon dyfish motivimin e ulët të mësimdhënësve dhe sistemit të pa zhvilluar sa duhet për përparim dhe karrierë. Pikërisht për këtë arsye zotërojnë metodat tradicionale të procesit mësimor, ndërsa mekanizmi ekzistues i vlerësimit ekstren të mësimdhënësve është jo produktiv” . Një pjesë e mirë e drejtorëve të shkollave të mesme profesionale, thuhet se nuk e arrijnë nivelin e nevojshëm profesional për atë funksion dhe kjo ndikon negativisht në funksionim institucional. Ky konstatim ilustrohet me mungesën e ekipeve profesionale dhe ndihmëse të shkollave, sikurse janë administratorët e teknologjisë informatike dhe kompjuterëve apo edhe këshilltarëve të karrierës. Për pasojë, “sistemi i sigurimit të cilësisë në shkollat e mesme profesionale është në fazë të hershme të zhvillimit. Mungojnë informacione të vazhdueshme valide për sistemin nacional arsimor në perspektivën ndërkombëtare”, qëndron në Strategjinë Gjithëpërfshirëse të Arsimit. Përveç nivelit të ulët të integrimit dhe multikulturalizmit, sipas këtij dokumenti, në arsimin e mesëm profesional është e limituar edhe gama e veprimtarive që ofrohen nëpër shtëpitë për vendosjen e nxënësve, respektivisht nëpër konvikte.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara