Biljana Gligorova, drejtoresha e SHM “Vllado Tasevski”, thotë se janë në nivele të kënaqshme si cilësia e shkollimit ashtu edhe interesimi i nxënësve. Madje, sa i përket kësaj të fundit në Maqedoni, thotë se ka një trend pozitiv
Laura PAPRANIKU
Shkup, 7 qershor – Shkollat e mesme të teknikës jo vetëm në Maqedoni por në të gjitha shtete e rajonit po zgjojnë interesimi gjithnjë e më të madh të nxënësve. Kjo, sigurisht për shkak të rritjes së cilësisë së mësimdhënies, përmirësimit të kushteve, pajisjes së shkollave me laboratorë dhe mjete adekuate, si dhe për shkak të kërkesave të tregut të punës për absorbimi e kuadrove me profilet që nxjerrin shkollat teknike dhe elektroteknike. Kjo u tha mes tjerash në Konferencën e parë ndërkombëtare të shkollave teknike që u organizua në Shkup, në përkujdesjen e Shkollës së Mesme Elektroteknike “Vllado Tasevski” në Shkup, shkruan gazeta KOHA. Por, vëmendja duhet të kthehet tek aftësimi i këtyre kuadrove me shkathtësi dhe kompetenca profesionale konformë profileve të shkollimit. Sepse, programet mësimore, sikurse vërejti mysafiri nga Greqia, janë shumë të mira dhe kjo vlen për të gjitha shtete e rajonit.
“Shkollat teknike dhe elektroteknike janë përafërsisht të njëjta në të gjitha shtete tona. Kanë programe shumë të mira, kushtet gjithashtu të mira. Mirëpo, në të gjitha këto shtete duhet të përmirësohet komponenti e pajisjes së kuadrove me shkathtësi profesionale”, u shpreh ai. Këtë mendim ndanë edhe pjesëmarrësit tjerë nga Serbia, Bullgaria, Shqipëria dhe Maqedonia. Biljana Gligorova, drejtoresha e SHM “Vllado Tasevski”, thotë se janë në nivele të kënaqshme si cilësia e shkollimit ashtu edhe interesimi i nxënësve. Madje, sa i përket kësaj të fundit në Maqedoni, thotë se ka një trend pozitiv.
“Nëse deri para 4-5 vitesh formonim paralele me nga 13 nxënës në klasë, vitin që shkoi si rezultat i interesimit të shtuar u formuam paralelet me nga 34 nxënës në klasë, pra me aq sa është maksimumi i lejuar me ligj”, pohon Gligorova. Kushtet për realizmin e këtij lloj shkollimi profesional, i cili është tepër i kushtueshëm, sipas saj janë gjithashtu të mira. “Sigurisht se nuk mund të ecim në të njëjtin hap me zhvillimet teknologjike që ndodhin në botë, por mundohemi që të përmirësojmë çdo herë e më shumë kushte e mësimit duke sofistikuar mjete e punës”, sqaron drejtoresha, ndërsa thotë se për këtë qëllim shfrytëzohen edhe fondet e projekteve të ndryshme që ndan Bashkimi Evropian apo përmes pjesëmarrjes në projekte të përbashkëta me shtete të veçanta.
Shqipëria duket se është kthyer në një histori suksesi në këtë drejtim. Elvjona Dimroçi, drejtoreshë e Shkollës së Mesme Teknike – Elektrike “Gjergj Çanço” në Tiranë, thotë se mbështetja teknike përmes projekteve dhe fondeve të jashtme është një mundësi që duhet shfrytëzuar. Para dy javësh, pranuam në shkollë dy laboratorë të teknologjisë më të fundit digjitale, të cilat është e vështirë të gjenden edhe në shkollat e shteteve të zhvilluara evropiane, pohon ajo, ndërsa vëren se kjo shkollë vazhdon edhe më tej traditën e nxjerrjes së kuadrove për gjithë Shqipërinë.
“Vit pas viti, jo vetëm që e bartim këtë traditë për edhe e përmirësojmë cilësinë e kuadrove që dalin nga shkolla jonë”, plotëson më tej. Shkollat profesionale të teknikës, elektrikes, informacionit të komunikimit dhe elektroteknikës, janë për momentin në fazën e përmirësimit të cilësisë në bashkëpunim me shtete e Bashkimit Evropian, të cilat financojnë jo vetëm në pajisjen e shkollave me laboratorë por edhe në trajnimin e kuadrove. Evropa edhe ashtu shkon në drejtim të krijimit të një tregu të përbashkët të punës dhe për këtë është shumë e rëndësishme unifikimi i sistemeve arsimore, respektivisht programeve mësimore të shkollave profesionale dhe paralelisht kësaj nxjerrjes së kuadrove të cilët do të jenë në gjendje të ushtrojnë profesionin me të gjitha dhuntitë dhe shkathtësitë e nevojshme. Pa këtë, do të jetë e pamundur të gjendet punë si në shtete e BE-së ashtu edhe në rajon. (koha.mk)