Laura PAPRANIKU
Shkup, 9 tetor – Pabarazia në sistemin arsimor në Maqedoni përveçse në shkollat e rregullta, ku e gjejmë përmes formave të ndryshme, nuk mungon edhe në shkollat speciale apo institucionet shkollore për fëmijë me nevoja të veçanta, shkruan gazeta KOHA. Të gjitha shkollat speciale shtetërore për fëmijë të moshës se mesme janë vetëm në gjuhën maqedonase. Këto shkolla janë egocentrike edhe sa i përket vendndodhjes së tyre. Konkretisht, nga katër të tilla, tre janë në Shkup edhe atë në komuna me popullsi kryesisht maqedonase dhe një shkollë speciale në Shtip.
Fëmijëve me nevoja të posaçme, pjesëtarëve të etnikeve jo maqedonase nuk u mbetet zgjidhja tjetër përpos të ndërpresin në mes shkollimin e tyre, nëse nuk dëshirojnë të shkollohen në gjuhën maqedonase. Ose, prindërit e tyre mund ti dërgojnë fëmijët me nevoja të posaçme nëpër kurse dhe shkolla private, mirëpo kur janë në pyetje kushtet dhe mundësitë që shteti duhet ti ofrojë në mënyrë të barabartë për të gjithë – shqiptarët, turqit dhe të tjerët nuk e gëzojnë një të drejtë të tillë. Në nivelin e arsimit fillor, përveçse në gjuhën maqedonase, ka edhe në gjuhën shqipe shkolla dhe paralele për nxënës me nevoja të veçanta. Në gjithsej 45 shkollat e këtilla me rreth 700 nxënës, arsimi sipas nevojave të veçanta në gjuhën shqipe organizohet në gjashtë shkolla për mbi 80 fëmijë. Pra, nuk është se nuk ka nxënës që do të vazhdonin arsimin e mesëm special edhe në gjuhën shqipe, por nuk ka shkolla dhe paralele në gjuhën shqipe, ku fëmijët me nevoja të veçanta të mund të realizonin një gjë të tillë. Edhe kuadri i posaçëm arsimor nuk është që mungon, pasi ka më tepër se 10 vite që kuadro të këtilla nxjerr vazhdimisht Universiteti i Tetovës krahas shumë të tjerëve që regjistrojnë programet studimore të defektologjisë në Shkup. Tregues i jo mungesës është edhe angazhimi i 14 mësimdhënësve në nëntë paralelet e arsimit special në nivelin e shkollave fillore. Jo të gjithë fëmijët me nevoja të veçanta kanë pengesa të njëjta zhvillimore. Madje, për shkak të inkuizivitetit (gjithëpërfshirës) në arsim në rastet e pengesave jo të rënda fëmijët dërgohen në shkollat e rëndomta dhe për këtë arsye – numri më i madh i fëmijëve që ndjekin shkollat speciale janë kategoria e fëmijëve me pengesa në zhvillimin mental. Në vitin shkollor 2016/2017, në shkollat fillore speciale në Maqedoni ishin gjithsej 809 nxënës të shpërndarë në 194 paralele dhe 45 shkolla. Në kategorinë e fëmijëve me pengesa në zhvillimin mental ishin të evidentuar 665 fëmijë, të shpërndarë në 152 paralelet dhe 39 shkolla. Nxënësit tjerë janë në paralelet pengesa në dëgjim dhe të folur (80), në paralelet me shikim të dëmtuar (33), në paralelet e fëmijëve me invaliditet trupor (10) dhe në paralelet e fëmijëve të braktisur (21). Në nivelin e arsimit të mesëm, sikurse përmendëm më lartë janë katër shkolla speciale edhe atë nga një në komunat e Gazibabës, Kisellavodës dhe Qendrës në Shkup, si dhe një në Shtip. Në këtë të fundit, shkruan KOHA, janë gjithsej 71 nxënës, ndërsa pjesa tjetër në tre shkollat speciale të kryeqytetit. Çairi, Tetova, Gostivari dhe komuna të tjera të mëdha me popullsi kryesisht shqiptarë nuk kanë asnjë shkollë të mesme speciale. Përveç kësaj, edhe në shkollat që gravitojnë në komuna me popullsi kryesisht maqedonase nuk ka asnjë paralele në gjuhën shqipe.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.