Laura PAPRANIKU
Shkup, 8 mars – Tendenca e përbashkët e sistemeve arsimore në gjithë hapësirën shqiptare duket se është rrudhosja e shkollave dhe numrit të nxënësve në to. Si në Maqedoni, Kosove dhe Shqipëri – dekadën fundit është shënuar zvogëlim i jashtëzakonshëm i numrit të nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm, shkruan gazeta KOHA. Rrjedhimisht, kjo situatë reflekton edhe në arsimin sipëror, edhe pse në përjashtim të Maqedonisë – ku hapen më tepër vende për regjistrim në fakultete sesa është numri i atyre që përfundojnë arsimin e mesëm, Kosova dhe Shqipëria kanë pasur një politikë më të shtrënguar të arsimit të lartë.
Të dhënat statistikore nga të tria shtetet flasin për një rënie drastike të numrit të nxënësve nëpër shkollat nëntëvjeçare dhe ato të mesme. Për shkak të rënies së shkallës së natalitetit dhe migrimit në shumë zona, sidomos rurale, shkollat po mbyllen, ndërsa popullsia e këtyre shteteve tkurret me ritme të shpejta.
Në vitin shkollor 2017/2018, në Maqedoni u regjistruan rreth 800 filloristë më pak se para një viti dhe mbi 3000 më pak se para dhjetë viteve. Në kuadër të këtij zvogëlimi, ka rënë edhe numri i nxënësve shqiptarë. Maqedonia nuk është më shteti që regjistronte në klasë të parë nga 10.000 filloristë shqiptarë (nga 29.000 gjithsej), ndërsa aktualisht për mësimin në gjuhën shqipe nuk arrijnë të regjistrohen as 7000 nxënës (nga 20.000 gjithsej).
Në periudhën nga viti shkollor 2006/2007 deri në vitin 2015/2016, në Shkup është shënuar rënie prej 7.14 për qind e numrit të ndënësve për dallim prej 19.66 për qind rënie në nivel shteti. Në gjithë territorin e Maqedonisë, gjatë kësaj periudhe numri i nxënësve ka rënë frikshëm, është pakësuar për 45.505 nxënës brenda një dekade. Konkretisht, nga 321.497 nxënës në të gjitha shkollat fillore në vitit 2006/2007, ky numër ka rënë në 185.992 nxënës në vitin 2015/2016. Të analizuar veç e veç, rekordin negativ të nxënësve e shënojnë komunat maqedonase si Novo Sella, Karbinci, Makedonska Kamenica dhe Mavrova e Rostusha.
Rënia e numrit të nxënësve në shkollat fillore të këtyre komunave varion nga 46.30 për qind në 39.55 për qind. Grup tjetër me rënie jashtëzakonisht të madh të nxënësve të shkollave fillore janë edhe komunat si Debarca, Kratova, Krusheva, Zvërnovci me rreth 38 për qind të nxënësve më pak. Mirëpo, nuk mbeten shumë prapa edhe komunat e banuara prej shqiptarëve, si për shembull Tearca, ku rënia ka shkuar në 38.95 për qind. Demografët e shpjegojnë rënien e numrit të nxënësve kryesisht me migracionin e jashtëm dhe lëvizjet e brendshme demografike, me uljen e natalitetit, si dhe shtyrjen në kohë të martesave.
Krahas largimit jashtë Maqedonisë e që reflektohet në rënien e përgjithshme të numrit të nxënësve në shkollat fillore, është lehtësisht e lexueshme edhe dukuria e shpërnguljeve drejt qendrave të urbanizuara: fshat-qytet apo edhe nga qytetet e brendësisë në kryeqytet. Rënia në kuota të vogla e numrit të nxënësve në kryeqytet (7.14 për qind) dhe disa qytete të tjera me zhvillim relativisht të mirë si Ohri (19.12 për qind), Strumica (18.76 për qind) apo Tetova (21.29 për qind), konsiderohet si element bazë i atyre këtyre tendencave.
Në Kosovë, ka pasur gjithashtu rënie të numrit të nxënësve. Nga viti shkollor 2005/2006 deri në vitin 2015/2016, shkollat e atjeshme fillore kanë regjistruar 4 mijë nxënës më pak, konkretisht nga 32 mijë sa ishte ai numër në vitin 2005/2006, dhjetë vite më vonë në klasë të parë u regjistruan rreth 28 mijë nxënës. Rrudhosjes së shkollave nuk i ka shpëtuara as Shqipëria. Të dhënat statistikore flasin se gjatë katër viteve të fundit – janë mbyllur gjithsej 102 shkolla nëntëvjeçare, ose mesatarisht 25 shkolla në vit dhe bashkë me këtë, është zvogëluar edhe numri i nxënësve.
Në vitin shkollor 2012/2013, në shkollat nëntëvjeçare shqiptare kishte 391.000 nxënës, ndërsa në vitin shkollor 2016/2017 ka 328.000 nxënës. Brenda katër vitesh, numri i nxënësve ka rënë për mbi 63.000 ose 15 mijë nxënës vetë në vit. Rënia kaq e shpejtë e numrit të nxënësve nuk shpjegohet dot vetëm me rënien e lindjeve. Nëse shohim pas në kohë, numri i lindjeve ka rënë me mesatarisht me 2000 në vit, ndërsa numri i nxënësve duket se ka rënë me ritëm shumë më të lartë se sa numri i lindjeve.
Edhe këtu emigrimi llogaritet të jetë shkaku tjetër i rëndësishëm i rënies së numrit të nxënësve. Numri i shkollave të mesme dhe i nxënësve në to është gjithashtu në rënie e sipër. Në vitin 2012/2013, në Shqipëri kishte 511 shkolla të mesme, ndërsa në vitin 2016/2027 ka 504 shkolla. Numri i nxënësve ka rënë nga 154.000 në 127.000. (koha.mk)