Laura PAPRANIKU
Shkup, 23 mars – Shkollat e mesme, sipas të dhënave të krahasueshme, janë ato që në Maqedoni bëjnë diferencën mes shkollimit në institucionet e arsimit publik dhe privat. Shkollat e mesme private, të paktën sipas të dhënave zyrtare për numrin e nxënësve, paraleleve dhe kuadrit mësimor, ofrojnë shumë më tepër komoditet krahasuar me shkollat publike në të njëjtat parametra, shkruan gazeta KOHA. Shkollat fillore, publike dhe private megjithëse dallojnë me njëra-tjetrën në favor të këtyre të fundit – nuk i kanë edhe aq të theksuara dallimet e raporteve nxënës/paralele dhe nxënës/mësimdhënës. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se dallimin më të madh e bëjnë shkollat e mesme private, në të cilat është thuajse dyfish më i vogël numri i nxënësve në klasë dhe dyfish më i madh numri i profesorëve të angazhuar në procesin mësimor.
Si nga pikëpamja e kushteve që ofrojnë për mësim ashtu dhe në aspektin e të dhënave statistikore, shkollat e mesme private tregojnë performanca më të mira se shkollat publike. Nëse te shkollat private numri i nxënësve është mesatarisht 14 nxënës në klasë, te publiku kjo mesatare është 22 nxënës në klasë. Sipas të dhënave të ESHS-së, shkollat e mesme private e filluan vitin shkollor 2016/2017 me 2033 nxënës të shpërndarë në 146 paralele, ndërsa në shkollat e mesme publike po këtë vit shkollor e nisën me 74.361 nxënës të shpërndarë në 3387 paralele.
Sakaq, nëse i krahasojmë numrat e nxënësve dhe mësimdhënësve të angazhuar në shkollat private dhe të mesme, do të shohim se këto raporte janë ende më të thella në favor të privatëve. Nisur nga të dhënat se në shkollat e mesme private ishin të angazhuar 377 profesorë dhe 7043 profesorë në shkollat publike, i bie që ai raport të jetë 5.4 nxënës për një profesor te privati dhe 10.5 te publiku. Pra kemi dallim prej thuajse gjysmë për gjysmë e që do të thotë se te shkollat e mesme private – profesorët kanë dyfish më tepër mundësi tu përkushtohen nxënësve sesa në shkollat publike. Në aspektin didaktik, kjo përkthehet si “profesorët dyfish të ngarkuar më shumë në shkollat publike krahasuar me kolegët e tyre të punësuar në shkolla private”.
E sikurse e pamë më lartë, kjo ngarkesë reflektohet dhe në formimin e paraleleve, respektivisht numrin e nxënësve në klasë. Konkretisht, paralelet e shkollave të mesme publike kanë mesatarisht nga 8 nxënës më shumë në klasë se paralelet e shkollave të mesme private. Nuk ndodh kështu në nivelin e arsimit fillor. Dallimet në numrin e nxënësve në paralele dhe numrin e mësimdhënësve të angazhuar nuk është kushedi sa i madh.
Të dhënat e ESHS-së për vitin shkollor 2016/2017, tregojnë se në shkollat fillore publike kishte mesatarisht 16.9 nxënës në klasë, ndërsa në shkollat fillore private, ky numër ishte 16.6 nxënës në klasë. Për 191.332 nxënësit me të cilët u hap viti 2016/2017, në të gjitha shkollat fillore publike kishte 11.344 paralele, ndërsa për 1.378 nxënësit e shkollave private kishte 83 paralele. Pra i bie që raporti nxënës-paralele të jetë aty-aty, ndërsa e parë në aspektin e mësimdhënësve edhe në nivelin e arsimit fillor shkollat private janë në avantazh.
Me 17.679 mësimdhënës në shkolla publike (për 191.332 nxënës) dhe 208 mësimdhënës në shkollat private (për 1378 nxënës), i bie që te publiku një mësimdhënësi ti takojnë mesatarisht rreth 11 nxënës, kurse te privati mesatarisht më tepër se gjashtë nxënës për një mësimdhënës. Kushtet e shkollave, mjetet e punës, hapësirat që ndajnë nxënësit në klasë janë diçka tjetër. Mirëpo, numerikisht në arsimin e nivelit fillor dallimi mes shkollave publike dhe private janë të vogla dhe jo aq të theksuara sa në nivelin e arsimit të mesëm. (koha.mk)