Shkollat në SHBA mund të mbesin të mbyllura deri në maj apo qershor të 2021-s

29

Profesori i shëndetësisë globale, Dr Ashish Jha, që është drejtor i Institutit Global të Shëndetësisë në Harvard, ka thënë se shkollat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të mos hapen deri në maj ose qershor të vitit të ardhshëm.

“Mendoj që njerëzit kanë pritje joreale rreth asaj se si do të ecën vjeshta dhe dimri”, ka thënë ai për CNN të shtunën.

“Dëgjoj shumë prindër duke thënë ‘të heqim vjeshtën dhe ndoshta të fillojmë në pranverë’” shtoi profesori. “Janari dhe shkurti nuk do të jenë aspak më të lehtë. Do të jenë muaj të dimrit të thellë dhe marsi do të jetë shumë i vështirë. Nuk mendoj se do të ketë vaksinë gjithëpërfshirëse, në dispozicion për të gjithë, deri në janar ose shkurt”.

Jha brengoset që, kur të hapen shkollat në vjeshtë dhe nxënësit të kthehen ne klasa, nuk do të mund të qëndrojnë ashtu për kohë të gjatë, transmeton KOHA.

Ky është një skenar shumë i mundshëm për komunitetet që kanë numër të madh të rasteve të infektuara, tha ai, duke shtuar se ka frikë që shkollat përgjatë tërë shtetit do të jenë të mbyllura gjatë shumicës së vjeshtës, dimrit dhe pranverës.

“Përcaktuesi kryesor i asaj nëse fëmijët do të mund të shkojnë në shkollë ose jo, nuk është plani i shkollës, sa thellë janë duke e bërë pastrimin, ose nga kontrollet e temperaturës. Varet nga çështja se sa është i përhapur virusi në një komunitet të caktuar”, shtoi Jha.

“Nëse nuk këndellemi dhe s’e marrim virusin nën kontroll, do të duhet të kemi edukimin online për tërë vitin për fëmijët tanë. Kjo do të ketë ndikim të madh mbi fëmijët dhe prindërit”, ka shtuar ai.

Comments are closed.