Laura PAPRANIKU
Shkup, 24 janar – Qindra mijëra nxënës të shkollave fillore dhe të mesme i kanë dhënë fund të hënën pushimit dimëror për të nisur gjysmëvjetorin e dytë të vitit 2017/2018, shkruan gazeta KOHA. Por, si katër muaj e gjysmë më parë, kanë mbetur të pazgjidhura problemet me mungesën e teksteve shkollore, sidomos për arsimin e mesëm profesional, ngarkesa e shkollave me numër të madh nxënësish në klasës, apo edhe statusi i pazgjidhur i marrëdhënies së punës për shumë mësues, të cilët dhe pse punojnë në shkolla – marrin paga si të ishin të punësuar në komuna. Nga gjysmëvjetori i kaluar deri tani – për rreth 270 mijë nxënësit e arsimit parauniversitar nuk ka ndryshuar asgjë, në përjashtim të shpresave se prej vitit të ardhshëm do të ketë ndryshim e pozitive.
Në horizont duken paralajmërimet për shkarkimin e programeve mësimore për nxënësit e klasave të para, të cilët ka gjasa që prej vitit 2018/2019 të nisin shkollën me vetëm katër lëndë dhe me kohëzjatje të shtuar të orëve të mësimit, pra nga 55 minuta një orë. Këtë vit, sikurse është bërë e ditur – në klasë të parë u regjistruan mbi 20 mijë nxënës, ndërsa në arsimin e mesëm mbi 17 mijë. Me gjithë rënien e vazhdueshme të nxënësve në arsimin parauniversitar, asnjëri prej gjysmëvjetorëve të këtij viti nuk u dha zgjidhje problemeve të shumta në shkollat fillore dhe të mesme. Madje, me rënien e temperaturave – si zakonisht shkollave u shtohet edhe problemi i ngrohjes së ambientit në shkollë, konkretisht mungesës së saj. Shkollat nuk dëshirojë ta pranojnë se ky është një problem real. Edhe pse për shkak të të ftohtit nxënësit detyrohen të mbajnë veshur xhaketat dhe dorashka, shkollat e kontaktuara për këtë problem e kanë një arsyetim.
“Meqë nuk ka punuar sistemi i ngrohjes në shkollë për disa javë, orët e para ishin pak më të ftohta, por vetëm në mëngjes derisa kaloriferët të mund të tejkalojnë të ftohtin e ditëve paraprake”, thotë Luljeta Qerimi, drejtoreshë në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Shkup. Sipas saj, është e kuptueshme që në ditën e parë të gjysmëvjetorit shkollat të mos jenë edhe aq e ngrohta, pasi tre javë nuk ka punuar sistemi i ngrohjes në shkollë. “Edhe në shtëpi ndodh e njëjta, nëse disa ditë nuk jemi aty dhe nuk ka qenë kyçur sistemi i ngrohjes, duhet kohë derisa të arrijmë temperaturën e nevojshme”, shprehet Qerimi. Përndryshe, thotë se gjithçka është në rregull me fillim e procesit mësimor dhe përgatitjeve për gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor. Edhe pse jo në masë shqetësuese, shkollat kanë mund të vërejnë një mungesë të konsiderueshëm të nxënësve, të cilët sikurse kanë lajmëruar në shkollë prindërit – kanë qenë me rekomandim nga mjeku për shërim shtëpiak. Përtej këtyre situatave që janë të zakonta në çdo fillim të gjysmëvjetorit, shkollat kanë probleme që nuk janë zgjidhur vite me radhë. Kështu, për shembull shkolla fillore “Ismail Qemali”, e cila ka nxënës më tepër se sa kapacitete fizike të shkollës, e ka makth çdo fillim të ri. “Nëse nuk ndërtohen të paktën edhe gjashtë klasë, për vitin tjetër nuk do të kemi se ku ti vendosim nxënësit. Do të duhet të mësojnë në korridore dhe në oborr të shkollës”, alarmon drejtori Kadri Agushi. Kjo shkollë e nisi vitin 2017/2018 me 1460 nxënës, me vetëm 20 klasë të rregullta dhe pesë të improvizuara. Përveç kësaj, gjashtë paralele të klasave të para, sikurse tregon drejtori, janë vendosur në çerdhen përballë. Në shkollë formohen paralele deri me 36 dhe 37 nxënës në klasë e që është në kundërshtim me Ligjin. Alarmante është edhe situata me tekstet shkollore, si për shkak të mungesës së tyre ashtu edhe të cilësisë dhe përmbajtjes. Por të paktën deri tani nuk ka asnjë paralajmërim serioz se gjërat do të ndryshojnë në këtë pikë, vitin e ardhshëm. (koha.mk)