Tani universitet janë bërë detektuesit më preciz të cilësisë arsimore në nivelet paraprake të shkollimit, ose më mirë të themi në pasqyrën e arsimit universitar del figura e arsimit parauniversitar. Sa më cilësor të jetë ky arsim, aq më pak e deformuar del edhe figura. Universitet tona do të duhej të kenë sa më pak prurje të deformuara nga arsimi parauniversitar, sepse në fund ajo çka “gatuhet” në universitet, duhet të servohet si produkt final në tryezën e mbarë shoqërisë
Nga Emin AZEMI
Një shoqëri mbetet e pa ngritur nëse përpjekjet tona në arsim kufizohen vetëm brenda nismave për të hapur shkolla dhe për të prodhuar kuadro. Cilësia, aq shumë e munguar në shkollat tona, duhet të jetë prioriteti i politikave tona arsimore, kurse kjo mund ta arrihet me një seriozitet më të madh të vetë arsimtarëve, kuptohet me mbështetje nga institucionet përkatëse dhe nga komuniteti i prindërve. Të kota janë përpjekjet për të pasur arsim të mirëfilltë universitar, nëse çalon arsimi parauniversitar. Të gjithë treguesit flasin se nëpër universitete po regjistrohen studentë që kanë probleme elementare të mosdijes dhe kjo gjendje i përshkruhet dobësive të shumta që aktualisht ka shkollimi fillor e i mesëm. Nëse tolerohet kjo gjendje edhe në të ardhmen, atëherë janë shumë të mëdha gjasat që shoqëria të paguaj kosto të lartë shumëzimin e “monstrave” me diplomë, të cilët objektiv final kanë zënien pa meritë të një vendi pune, por jo përvetësimin e dijeve për të ushtruar denjësisht profesionin.
Një ekspert i huaj i arsimit para do vitesh ishte ngarkuar që të inspektojë gjendjen e institucioneve të larta arsimore dhe në fund të hulumtimit të tij iu kishte rekomanduar kolegëve të këtushëm universitarë që para se të merren me arsimin superior le të përqendrohen pak më tepër në shkollat fillore dhe të mesme. Ai qëllimisht nuk kishte dashur ti ofendojë kolegët e tij, sepse edhe ndonjëri prej tyre kishte nevojë të kthehet edhe një herë në shkollë fillore e të mesme, për ndonjë tabelë shumëzimi apo çështje drejtshkrimi, për arsye se qëllimi i tij kishte qenë të ndihmojë e jo të prishë punë.
Tani kur po fillon edhe ky vit shkollor, treguesit paraprak japin të kuptojmë se niveli i suksesit në shkollat tona është si mos më keq. Nga një hulumtim që ishte bërë në vitin e kaluar shkollor rezultonte se nota mesatare nëpër shkolla është mjaft e ulët dhe prej tyre vetëm një shkollë ka mesatare mbi 4, ndërsa shumë shkolla mezi arrijnë në notë mesatare 3.
Ja pse eksperti i huaj i arsimit kishte këmbëngulur që energjitë tona të përqendrohen në ngritjen e cilësisë së shkollimit fillor dhe të mesëm, për arsye se ato janë fidanishte që sigurojnë fryte për nivelet superiore të arsimit. Siç edhe mund të shihet nga gjendja e mësipërme, shkollat tona fillore e të mesme, sidomos me mësim në gjuhën shqipe, jo vetëm që nuk janë të denja të përgatisin studentë të ardhshëm, por ato mund të bëhen pengesë edhe për shoqërinë, sepse me nxënës të dobët mund të formohet ndonjë bandë keqbërësish, por jo edhe profesionistë të denjë.
Në Strategjinë e re arsimore duhet patjetër të përfshihen masat konkrete që do ta konsolidonin performancën edukative dhe metodike në arsimin fillor e të mesëm. Kjo duhet të bashkëshoqërohet edhe me një sërë risish kreative nga vetë personeli arsimor, të cilët duhet patjetër dijet e tyre ti freskojnë dhe ti adaptojnë me njohuritë bashkëkohore pedagogjike që aktualisht praktikohen në Europë.
Alarmi që duhet të aktivizojë gjithë ne, detyrimisht fillon nga institucionet, por edhe nga familjet që dërgojnë fëmijë nëpër shkolla. Arsyeja se pse ky alarm tani bëhet më domethënës, lidhet me hallkat e shkollimit që fuqizojnë njëra tjetrën, dhe lehtësisht i detektueshëm. Për rrjedhojë sa më cilësor të jetë arsimimi parauniversitar, aq më cilësor do të jetë ai universitar dhe anasjelltas. Mundësia për të ndjekur këtë vijueshmëri arsimore nga nivelet më të ulëta në ato më larta, tani është më e madhe, në krahasim me dekadat e mëhershme kur arsimi fillor në gjuhën shqipe nuk e kishte të garantuar vijueshmërinë e arsimit universitar po në gjuhën shqipe. Tani universitet janë bërë detektuesit më preciz të cilësisë arsimore në nivelet paraprake të shkollimit, ose më mirë të themi në pasqyrën e arsimit universitar del figura e arsimit parauniversitar. Sa më cilësor të jetë ky arsim, aq më pak e deformuar del edhe figura. Universitet tona do të duhej të kenë sa më pak prurje të deformuara nga arsimi parauniversitar, sepse në fund ajo çka “gatuhet” në universitet, duhet të servohet si produkt final në tryezën e mbarë shoqërisë.
Ata që janë përgjegjës për menaxhimin e arsimit parauniversitar, duhet ta kenë të zhvilluar ndjenjën maksimale të përgjegjësisë, për dobitë dhe dëmet që mund ti shkaktojnë shoqërisë nga mënyra se si e bëjnë këtë menaxhim. (koha.mk)