I ashpër ishte edhe reagimi i drejtorit të shkollës së mesme “28 Nëntori”, Ramadan Imeri në lidhje me mënyrën e MASH-it për lejet për mënyrën e mbajtjes të mësimit. “Objekti i shkollës ’28 Nëntori’ është një objekt i ri i cili i plotëson të gjitha kushtet me mësim me prezencë fizike. Gjatë kohës që kaloi i kemi realizuar të gjitha obligimet që dalin nga protokollet e punës së shkollave, kurse profesorët janë të gatshëm për realizimin e mësimit me prezencë fizike. Po të njëjtin qëndrim e patën edhe inspektorët e arsimit që vizituan shkollën tonë dhe tani shohim se shkolla jonë nuk është në mesin e shkollave të mesme për të realizuar mësim me prezencë fizike”, u ankua drejtori Imeri
Vjollca SADIKU
Dibër, 26 shtator- Interneti i dobët në Komunën e Dibrës, por edhe fshatrat edhe pa sinjal interneti, nuk po mundëson mësim onlajn në nivelin që kërkohet nga ana e Ministrisë së Arsimit. Kjo mes tjerëve u theksua në seancën e Këshillit të Komunës Dibër, në të cilën raportuan drejtorët e shkollave programet e punës për vitin shkollor 2020-2021. Raportet dhe programet këshilltarët i miratuan, por shqetësimet që shprehën drejtorët e shkollave ishin të mëdha për shkak të faktit se Telekomi i Maqedonisë, i cili 90 për qind e mbulon si operator komunën me internet, as për së afërmi nuk kënaq me fuqinë e sinjalit institucionet arsimore në fjalë.
Drejtori i shkollës më të madhe nëntëvjeçare në Dibër, “Penestia” – Ajet Mullarexha, theksoi se sinjali tejet i dobët i internetit do të pengojë zhvillimin e mësimit onlajn. “Ne i plotësojmë të gjitha kushtet si shkollë që mësimi të mbahet me prezencë fizike dhe habitemi se përse nuk jemi në listën e shkollave për mësim fizik”, tha para këshilltarëve drejtori Mullarexha. Gjatë paraqitjes së pandemisë, mësimi onlajn nuk pati sukses meqë mbi 200 nxënës të familjeve sociale nuk kishin mundësi të ndjekin mësim onlajn, tha ai. Drejtori i shkollës fillore “Said Najdeni”, Burim Kaziu, nga ana tjetër theksoi se shkolla që ai udhëheq nuk ka mundësi për mësim me prezencë fizike, por ai shtoi se interneti tejet i dobët do të pengojë tërësisht mësimin onlajn, duke marrë parasysh edhe defektet e shpeshta të internetit jo vetëm në qytet, por edhe në komunë si tërësi. Në shkollën nëntëvjeçare qendrore “Riste Ristevski” në fshatin Kosovrast të Poshtëm, siç tha drejtori Shania Ajrovski, po ashtu nuk ka mundësi për mbajtjen e mësimit onlajn. Edhe në shkollën periferike në fshatin Kosovrats i Epërm nuk ka as sinjal të internetit, që do të thotë mundësia për mësim onlajn është e pamundur. Në debatin e Këshillit komunal, këshilltari Fisnik Mela theksoi se nga drejtoria e Telekomit e ka pranuar se interneti në Dibër ka probleme. “Prandaj duhet që pushteti vendor të kërkojë të tejkalohet ky problem meqë pjesa dërmuese shfrytëzon internet të Telekomit”, tha Mela.
I ashpër ishte edhe reagimi i drejtorit të shkollës së mesme “28 Nëntori”, Ramadan Imeri në lidhje me mënyrën e MASH-it për lejet për mënyrën e mbajtjes të mësimit. “Objekti i shkollës ’28 Nëntori’ është një objekt i ri i cili i plotëson të gjitha kushtet me mësim me prezencë fizike. Gjatë kohës që kaloi i kemi realizuar të gjitha obligimet që dalin nga protokollet e punës së shkollave, kurse profesorët janë të gatshëm për realizimin e mësimit me prezencë fizike. Po të njëjtin qëndrim e patën edhe inspektorët e arsimit që vizituan shkollën tonë dhe tani shohim se shkolla jonë nuk është në mesin e shkollave të mesme për të realizuar mësim me prezencë fizike”, u ankua drejtori Imeri, ndërsa përsëriti se personeli mësimor dhe objekti i plotësojnë edhe kushtet për mësim onlajn, por se, siç u shpreh ai, përvoja me këtë mënyrë mësimi tregoi se nuk arrihet suksesi i njëjtë si me prezencë fizike.
Këshilltarët duke debatuar rreth raportit dhe programit të punës në çerdhen e vetme “Breshia”, nga drejtoresha Ajrie Daçi u informuan se këtu ka filluar edukimi i fëmijëve në përputhje me protokollin që ka dhënë ministria kompetente. Në këtë drejtim, Daçi kërkoi nga prindërit të respektojnë masat për mbrojtjen shëndetësore dhe shtoi se deri tani numri i fëmijëve të regjistruar është 248. (koha.mk)