Tetovë, 3 shkurt – Në 115 paralele, këtë vit në shtatë shkolla të mesme, pritet që të regjistrohen 2190 nxënës. Kështu parashihet në planin për pranim të nxënësve në vit të parë që u miratua në Këshillin e Komunës së Tetovës ditë më parë. Ahmed Qazimi, udhëheqës i Sektorit për Veprimtari Publike në Komunën e Tetovës, thotë se në komunat rurale, gjithsej shkollimin fillor janë duke e përfunduar 2190 nxënës, shkruan gazeta KOHA.
“Nëpër këto komuna tashmë është bërë edhe distribuimi i planit për regjistrim të këtyre nxënësve në shkollat e mesme të Tetovës. Këtë vit, gjithsej janë paraparë 115 paralele për të pranuar nxënësit në vit të parë. Edhe këtë vit kemi në fokus përforcimin e shkollave të mesme profesionale. Do të kemi hapjen e dy drejtimeve në shkollën e mesme profesionale teknike, ndërsa si synim do të kemi edhe cilësinë në dy gjimnazet e Tetovës”, tha Qazimi.
Ai më tej ka sqaruar se kriteret mbeten të njëjta nga vitet e kaluara dhe nuk do të ketë ulje të pikëve në dy gjimnazet dhe në shkollën e mesme të mjekësisë.
“Kriteret mbeten të njëjta, ashtu sikurse edhe viteve të kaluara jemi duke u përmbajtur në këto kritere dhe nuk do të ketë ulje të pikëve për pranim në Gjimnaz dhe Mjekësi. Në shkollën e mesme të mjekësisë në afatin e parë për regjistrim janë paraparë 70 pikë, ndërsa për drejtimin e kozmetikës dhe drejtimin e përkujdesjes numri i pikëve të nevojshme për regjistrim është minimum 45 pikë, kurse në shkollat e mesme të gjimnazit – domethënë në ‘Kiril Pejçinoviq’ dhe ‘7 Marsi’ numri i pikëve të nevojshme së bashku edhe me shkollën e mesme ekonomike në afatin e parë të regjistrimit është së paku 60 pikë, përderisa në drejtimet profesionale, varësisht drejtimeve ku nxënësit regjistrohen, numri i pikëve të parapara ndryshon prej 40 deri në 60 pikë “, deklaroi ai. (koha.mk)