Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, thotë se janë të detyruar shpeshherë me paratë e buxhetit komunal, i cili është një buxhet edhe ashtu i varfër, të paguajnë faturat e shkollave me qëllim që t’i ndihmohet arsimit në Dibër
Vjollca SADIKU
Dibër, 24 dhjetor – Viteve të fundit shkollat fillore të Dibrës ballafaqohen me probleme të shumta financiare. Shkaku kryesor është financimi me formulën e numrit të nxënësve, i cili nga viti në vit në këtë komunë është në rënie. Pikërisht për këtë shkak, dotacionet për shkollat që arrijnë nga ministritë përkatëse në komunë as nga afër nuk mjaftojnë për mbulimin të harxhimeve për energji elektrike, mazut dhe harxhime tjera materiale. Kjo situatë po shkakton probleme të mëdha në funksionimin e institucioneve arsimore në Dibër, shkruan gazeta KOHA.
Në Sektorin për financa pranë Komunës Dibër informojnë se nga dotacionet për shkollat fillore, vetëm 4 për qind të mjeteve mbeten për harxhime materiale, kurse 96 për qind për rroga. Në një situatë të këtillë, thotë Qazim Qormemeti, udhëheqës i Sektorit të arsimit, shkollat e Dibrës nuk kanë fuqi të paguajnë faturat për rrymë, mazut e tjerë.
Po ashtu jepen sqarime në këtë sektor se me rënien e numrit të nxënësve, pothuajse çdo vit shkollor dotacionet ulen dhe priten ditë më të vështira kur është në pyetje funksionimi i shkollave. Udhëheqësit e të tre shkollave nëntëvjeçare – “Penestia” dhe “Said Najdeni” në Dibër dhe shkolla “Rise Ristevski” në Kosovrast të Poshtëm, pohojnë se problemet janë evidente dhe borxhet në shkolla po rriten. Shpeshherë faturat e rrymës elektrike paguhen nga buxheti komunal, thonë ata, dhe shtojnë se mjetet për harxhime materiale as nga së afërmi nuk mjaftojnë.
Në një situatë të këtillë, të tre shkollat fillore shumë herë kanë kërkuar zgjidhje nga Ministria e Arsimit. Përgjigja nga kjo e fundit është se financimi bëhet në bazë të numrit të nxënësve dhe se kjo metodë nuk ndryshohet dot. Por, udhëheqësit e shkollave sqarojnë se nuk munden ti lënë në rrugë arsimtarët, por janë të detyruar që të hyjnë në borxhe tek ndërmarrjet e ndryshme publike, ndërsa borxhe të mëdha shkollat kanë edhe ndaj ndërmarrjes komunale publike “Standardi”. Në një mbledhje të Këshillit të Komunës Dibër, përfaqësuesit e shkollave kërkuan të ndërmerren masa për tejkalimin të problemeve. Propozimi i tyre mes tjerësh ishte edhe në drejtim të shlyerjes të borxheve që kanë ata ndaj NKP “Standardi”. Kësaj ndërmarrje – të tre shkollat i kanë borxh disa milionë denarë. Duke marrë parasysh se edhe vet ndërmarrja “Standardi” është e zhytur në borxhe, të cilët kalojnë 1 milion euro, këshilltarët e Komunës thonë se duhet të bëhet një analizë më e gjerë.
Drejtori i shkollës “Penestia”, Ajet Mullarexha, ai i shkollës “Said Najdeni”, Burim Kaziu, si dhe Shania Ajroski i shkollë “Riste Ristevski”, sqarojnë se duhet të ketë edhe një korrektesë në çmimet që faturon “Standardi”, pasi shërbimet me faturat nuk janë reale. “Jemi kundër vendosjen e çmimit për harxhimin e ujit paushall. Në asnjë moment ne nuk harxhojmë aq ujë sa shkruhet në faturat”, thonë drejtorët. Ata sqarojnë po ashtu se çmimi duhet të jetë më objektiv. “Në faturat e shkollave, çmimi vendoset nga afër 30 mijë denarë, gjë që nuk korrespondon me të vërtetën e shërbimeve që marrim. Është një çmim shumë më i madh që kërkohet nga ne”, thonë drejtorët. Ndryshe nga kjo, drejtorët e shkollave thonë se problemet do të thellohen edhe më shumë vitin e ardhshëm, pasi me rënien e vazhdueshëm të numrit të nxënësve, do të zvogëlohen edhe mjetet me bllok-dotacionet për arsim.
“Ka një proces masiv të migrimit, prandaj edhe paralelet në shkollat fillore as nga së afërmi nuk kanë numrin të përcaktuar me ligj”. Këshilltari në Këshillin e Komunës, Eugjen Cami, është shprehur se problemet me arsimin në Dibër duhet të tejkalohen në nivel qendror, respektivisht në Qeveri. “Politika aktuale që është prezente në arsim duhet ta kuptoj faktin se jo vetëm në Dibër, por edhe më gjerë rënia e numrit të nxënësve ka kontinuitet. Prandaj pikërisht në Ministrin e Arsimit duhet të sqarohen këto çështje dhe të ndryshojë formula e përcaktimit të financimit. Maqedonia e Veriut ka obligim kushtetues që të bëjë arsimimin e fëmijëve edhe atë të përcaktuat me ligj për shkollat fillore dhe të mesme. Prandaj duhet një formulë e re me qëllim që institucionet arsimore të mos zhyten në borxhe të cilët pastaj do të ndikojnë edhe në procesin edukativo arsimor”, është shprehur Cami.
Nga ana tjetër kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, thotë se janë të detyruar shpeshherë me paratë e buxhetit komunal, i cili është një buxhet edhe ashtu i varfër, të paguajnë faturat e shkollave me qëllim që t’i ndihmohet arsimit në Dibër. (koha.mk)