Laura PAPRANIKU
Shkup, 3 shtator – Jo të gjitha shkollat në Maqedoni do ta presin fillimin e vitit të ri në kushte dhe mënyrë të njëjtë. Kjo për faktin se përkushtimi i institucioneve kompetente nuk ka qenë i njëjtë për të gjitha shkollat, shkruan gazeta KOHA. Gjatë tre muajve të pushimit veror, në një pjesë të shkollave nuk munguan investimet për përmirësimin e kushteve, ndërsa ka shumë shkolla të tjera të cilat do të vazhdojnë të vuajnë edhe më tej gjendjen e rëndë financiare, si pasojë e xhirollogarive të bllokuara dhe borxheve të prapambetura. Ndërsa, ende më i madh pritet të jetë numri i shkollave që kanë problem me sigurimin e kuadrit mësimor, respektivisht financimin e vendeve të reja të punës.
Kështu, në shkollën fillore “Murat Labënishti”, mungesa e lejeve për financimin e vendeve të punës për paralelet me mësim në gjuhën shqipe do të jetë këtë vit e papërballueshme. Xhemi Hajredini, nga Sektori për arsim në Komunën e Strugës, thotë se disa vite me radhë Komuna ka bërë zëvendësimi e këtyre vendeve të punës, duke i angazhuar maksimalisht mësimdhënësit e shkollave të tjera.
“Mirëpo, me kalimi e viteve, në këtë shkollë është rritur dukshëm numri i nxënësve dhe paraleleve me mësim në gjuhën shqipe. Nevoja për angazhimin e kuadrit adekuat mësimor është e domosdoshme. Nuk ka më asnjë hapësirë që të gjitha orët e mësimit të mbulohen me mësimdhënës të shkollave të tjera. Fatkeqësisht, me gjithë kërkesat tona të vazhdueshme, nuk kemi marrë ende asnjë përgjigje nëse do të bëhet ose jo financimi i atyre vendeve të punës”, pohon për KOHA, Hajredini. Për pasojë, do të duhet që zgjidhjen ta ofrojë sërish Komuna e Strugës, ashtu sikurse ka vepruar tani e dhjetë vite më radhë.
Problem në vete mbeten shkollat me xhirollogari të bllokuar. Në Strugë pesë shkolla fillore do ta nisin vitin me xhirollogari të bllokuara, që do të thotë se nuk do të kenë mundësi as të organizojnë transportin e nxënësve, as të lidhin kontrata për sigurimin e lëndës ngrohëse dhe as të paguajnë faturat e rrymës elektrike, ujit e kështu me radhë. Të bllokuara janë shkollat “Vëllezërit Milladinovci” në Strugë, “Zini Hani” në Veleshtë, “Hasim Agushi” në Ladorishtë” “Kirli dhe Metod” në Drasllajcë. Shkolla me xhirollogari të bllokuar ka gjithandej dhe kjo situatë do të parqet problem shtesë për komunat të cilat duhet të menaxhojnë me funksionimin e shkollave që gravitojnë në territorin e tyre.
“Për shkak të borxheve të trashëguara herë pas herë kemi shkolla të cilave u bllokohen xhirollogaritë e tyre. Për momentin janë vetëm dy subjekte shkollore që ballafaqohen me këtë problem, nga gjithsej 22 në Komunën e Tetovës”, thotë Ahmet Qazimi, nga Sektori për arsim në këtë komunë. Sipas tij, është punuar në bazë të një plani dinamik për shlyerjen e të gjitha borxheve të shkollave dhe është arritur progres i konsiderueshëm në këtë drejtim. “Të gjitha shkollat fillore do ta nisin vitin e ri shkollor pa borxhe, ndërsa po punojmë për debllokimin edhe të llogarive rrjedhëse të dy shkollave të mesme”, plotëson Qazimi.
Me xhirollogari të bllokuar për momentin në Komunë e Tetovës, janë Gjimnazi “Kirli Pejçinoviç” dhe shkolla e mesme e mjekësisë “Nikolla Shtenj”, tregon Qazimi, kurse nuk pret të ketë probleme me transportin e nxënësve. “S’ka përse të kemi probleme me transportin, në një kohë kur kemi të kontraktuar me firmat përkatëse transportin e nxënësve deri në datën 31 dhjetor të këtij viti”. Në ndërkohë, plotëson më tej ai, është në procedurë e sipër përgatitja e dokumentacionit të nevojshëm për tenderimin e transportit të nxënësve për vitin 2018. Përgjegjësi për arsim në Komunën e Tetovës, thotë se procedurat janë të tilla që lejojnë lidhjen e kontratave për transportin e nxënësve në suazat e një viti kalendarik, apo brenda nj viti të caktuar fiskal. Ndërkaq, është i bindur se do të kryhen në kohë edhe procedurat për transportin e nxënësve për vitin e ardhshëm kalendarik, respektivisht vitin fiskal. Në nivel të gjitha shkollave, Komuna pret të merr përgjigje për financim e 10 vendeve të reja punë, mësimdhënës si dhe të disa vende tjera për administratën e shkollës. Rasti më urgjent vlerësohet gjimnazi “7 Marsi”, i cili edhe pse është prej dy vitesh subjekt i pavarur juridik, nuk ka as sot e kësaj dite pedagog dhe psikolog. Numri i nxënësve të këtij gjimnazin është rreth 1500.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.