Laura PAPRANIKU
Shkup, 6 nëntor – Me 23 orë mësimi në javë dhe tetë lëndë të ndryshme prej në klasë të parë, fëmijët e moshës pesë vjet e gjysmë apo gjashtë, e kanë të vështirë ta konceptojnë shkollën si një vend tërheqës dhe komod, shkruan gazeta KOHA. Ngarkesa e madhe me lëndë, detyra, libra dhe çanta që rëndojnë mbi kurriz, bëjnë që një numër i madh i filloristëve të humbin besimin në aftësitë e veta. Për këtë arsye jo të gjithë shkojnë në shkollë me gëzimin që mund të ofrojë një vend, tek i cili fëmijët duhet para së gjithash të ndejnë ngrohtësinë e “shtëpisë” së dytë të tyre. Përkundrazi, shkolla është kthyer në një ambient ku ata shkojnë pa dëshirë, madje shpesh herë edhe të frikësuar. Përveç kësaj, jo të gjitha shkolla ofrojë kushte dhe standarde të mira për mësim, duke e bërë atë gjithnjë e më tepër refuzuese për nxënësit edhe atë që në klasë të parë.
Njohës të çështjeve arsimore, konsiderojnë se ngërçi profesional që është krijuar në raportin shkollë-nxënës, është pasojë e një sërë reformave të dështuara në sistemin arsimor, ose thënë ndryshe, rezultat i eksperimentimeve të shpeshta që kanë ndodhur në përgjithësi në sferën e arsimit, pa përjashtuar këtu programet mësimore apo kurrikulën e shkollimit. Kur jemi te nxënësit e klasës së parë, bie në sy numri i lartë i orëve të mësimit si dhe i lëndëve mësimore. Për pesë ditë mësimi brenda një jave, ata duhet të realizojnë nga gjashtë orë mësimi nga lëndën e gjuhës amtare, pesë orë matematikë, dy orë gjuhë angleze, nga dy orë në javë mësimi në artin figurativ, artin muzikor dhe shkencat natyrore, nga një orë mësimi nga shkenca shoqërore, si dhe tre orë edukatë fizike dhe shëndetësore. Pra, janë gjithsej 23 orë mësimi të detyrueshme në javë, për tetë lëndë mësimore të cilat duhet t’i realizojnë fëmijët, të cilët në klasë të parë regjistrohen në moshën pesë vjet e gjysmim ose gjashtë.
Prof.dr. Xheladin Murati, thotë për KOHA se si numri i orëve, ashtu edhe numri i lëndëve tejkalojnë mundësitë reale që ka mosha e këtyre fëmijëve, konkretisht nuk korrespondojnë me aftësitë psikomotorike të fëmijëve. Murati, që 12 vite më parë ishte pjesë e ekspertëve për përpilimin e Koncepcionit të arsimit nëntëvjeçar, tregon se propozimi i ekspertëve ishte që nxënësit e ciklit të ulët (nga klasa e parë deri të tretën) të mos kenë më tepër se 20 orë mësimi në javë. Mirëpo, pas kësaj nisi të përzihet politika. Secili ministër i Arsimit vinte me propozimin për shtimin e ndonjë lëndë të reja, ndonjë orë të re apo aktiviteti mësimor dhe tani jemi në situatë kur shkolla dhe nxënësit janë ngarkuar së tepërmi.
“Kjo mbingarkesë, në mënyrë automatike krijon qëndrim negativ për shkollat, krijon ndjenjat e mosrespektimit, mohimit, pakënaqësisë dhe joshpresës. Te këta fëmijë krijohet percepcioni se shkolla është një vend i mundimeve dhe jo një vend i ngrohtë, ku ata mund ta gjejnë veten të dobishëm dhe të kenë dëshirë të shkojnë në shkollë”, sqaron profesori.
Shkolla fillore, sidomos ajo e ciklit të ulët, sipas tij, është mjaft i rëndësishëm në formimin e nxënësve. Prandaj është detyrë e mësimdhënësve që të krijojnë atmosferë pozitive në klasë dhe në shkollë, me qëllim që ky institucion të jetë tërheqës për ta dhe jo të krijojë agresivitet dhe qëndrim negativ tek nxënësit. Profesor Murati, vëren se është diskutuar me shumë të drejtë ngarkesa e kurrikulës me lëndë mësimore, me numër të madh të orëve dhe me aktivitete të tjera, të cilat është e pamundur të realizohen vetëm në klasë. “Për këtë arsye ngarkesa përcillet te nxënësit edhe pas përfundimit të mësimit, në shtëpi me sasi të madhe të detyrave që u jepen nga ana e mësimdhënësve. Kjo sjell më vonë reagimin me të drejtë të prindërve, por edhe mësimdhënësit janë në të drejtën e tyre pasi u duhet të veprojnë sipas konceptit arsimor. Problemi është se në aspektin funksional ky koncepcion has në probleme të shumta, duke nisur nga cilësia e mësimdhënies, teksteve shkollore apo edhe zgjedhjes së aktivisteve që do të realizohen në klasë”, shpjegon ai. Të gjitha këta komponentë, plotëson Murati, duhet të jenë në favor të zhvillimit intelektual të nxënësve, të aftësimit të tyre për të mësuar dhe për të ditur, por në asnjë rast që shkolla të jetë vetëm vend argëtimi. Prandaj, thotë më tej ai, sistemit arsimor në përgjithësi, e në rastin konkret arsimit fillor i duhet një revidim i tërësishëm si në kurrikulë, në tekste dhe në koncepcion. (koha.mk)