Shkolla në Reçicë përfundon në qershor

45

Momentalisht punët janë duke u zhvilluar sipas dinamikës nga ana e kryerësit të punës dhe sipas informacioneve nga Komuna e Tetovës, nuk pritet që të ketë probleme dhe në shtator edhe në këtë shkollë do të bie zilja për fëmijët e kësaj lagje. Me këtë pritet të lehtësohet procesi mësimor edhe në objektin e shkollës qendrore “Naim Frashëri” ku ka mbingarkesë të klasave me numër të madh të nxënësve

Urim HASIPI

Tetovë, 24 janar – Në muajin qershor të këtij viti pritet të përfundojnë punët rreth ndërtimit të objektit të shkollës fillore në Reçicë të Vogël. Objekti shkollor ka filluar të ndërtohet në korrik të vitit të kaluar, kurse Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ndarë 86.3 milionë denarë për ndërtimin e kësaj shkolle. Nga kjo ministri nuk kanë dhënë detaje tjera lidhur me këtë objekt shkollor.

“Nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë të Veriut, për ndërtimin  e objektit të ri për nevojat e shkollës fillore ‘Naim Frashëri’, në Tetovë, janë siguruar mjete në vlerë prej 86.3 milionë denarë dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes me kryerësin e punës ‘NB Kompani’ nga Tetova, punët ndërtimore duhet të përfundojnë më 10 qershor të vitit 2021. Ndryshe, punët për ndërtimin e kësaj shkolle kanë filluar më 10 korrik të vitit 2020”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për gazetën KOHA, lidhur me atë se deri ku kanë arritur punët për këtë objekt shkollor. Ende nuk dihet se në qershor objekti tërësisht do të jetë gati duke patur parasysh edhe inventarin e brendshëm, për të filluar mësimin nxënësit e lagjes së Reçicës së Vogël, apo do të vazhdojnë të mësojnë akoma në objektin e shkollës fillore “Naim Frashëri”.

Ndërkohë, kërkesa e shumë prindërve të kësaj lagje daton vite më parë, pasi fëmijët e tyre detyrohen të bëjnë rrugë rreth 3 kilometra e më shumë për të arritur deri tek objekti i shkollës qendrore. Prindërit shpeshherë janë ankuar se fëmijët e tyre kalojnë nëpër rrugë kryesore mjaft të frekentuara nga automjetet, por edhe të pandriçuara plotësisht, që paraqet rrezik për fëmijët. Nga ana tjetër, administrata aktuale e Komunës së Tetovës që në mandatin e parë kishte premtuar se do të bëjnë gjithçka që në atë lagje të ketë objekt shkollore. Por, u deshën të kalojnë dy mandate që kjo shkollë të fillojë të ndërtohet, kurse premtim publik para banorëve kishte dhënë edhe kryeministri Zoran Zaev se shkollë në këtë lagje do të ndërtohet.

Momentalisht punët janë duke u zhvilluar sipas dinamikës nga ana e kryerësit të punës dhe sipas informacioneve nga Komuna e Tetovës, nuk pritet që të ketë probleme dhe në shtator edhe në këtë shkollë do të bie zilja për fëmijët e kësaj lagje. Me këtë pritet të lehtësohet procesi mësimor edhe në objektin e shkollës qendrore “Naim Frashëri” ku ka mbingarkesë të klasave me numër të madh të nxënësve. (koha.mk)