Objekti shkollor, edhe pse nuk është shumë i vjetër, pasi i njëjti është lëshuar në përdorim rreth 7 vite më parë, megjithatë nga pamjet duket qarte se për një periudhë kaq të shkurtër muret janë plasaritur, pullazi pikon ujë dhe ka nevojë që të rikonstruohet për të krijuar kushte më të mira dhe më të sigurta për nxënësit
Urim HASIPI
Tetovë, 5 shkurt – Në shkollën fillore “Skënderbeu” në fshatin Xhepçisht, shkollë kjo periferike e asaj qendrore të fshatit Poroj, ende nuk kanë filluar punimet për sanimin e pullazit të kësaj shkolle, i cili pikon ujë brenda klasave mësimore. Kjo ndodh gjithmonë kur ka reshje të shiut apo dëborës, shkruan gazeta KOHA. Për pasojë, kjo pengon zhvillimin normal të procesit edukativo-arsimor ku shpeshherë nxënësit dhe mësimdhënësit janë detyruar të ndërpresin mësimin për të mos rrezikuar sigurinë e nxënësve.
“Dëshiroj të njoftoj se mësimi në këtë shkollë zhvillohet në një ndërrim për shkak të temperaturave shumë të ulëta, ndërsa për shkak të reshjeve të dëborës – në dy mësonjtore patëm një situatë të rrjedhjes së çatisë dhe menjëherë nga ana e drejtorisë së shkollës në konsultim me ne, u ndërmor vendimi që në ato dy mësonjtore të mos mbahet mësim dhe ato klasa të zhvendosen në mësonjtore tjera që të mos kemi humbje të mësimit, ashtu që në këto dy klasa në të cilat po rridhte uji, të mos zhvillohet procesi edukativo-arsimor. Ky vendim menjëherë është zbatuar dhe mund të them që nuk kemi pasur humbje të orëve mësimore në asnjë klasë të objektit në fshatin Xhepçisht”, deklaroi Ahmed Qazimi nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës.
Sa i përket këtij problemi, nga komuna thonë se janë në koordinim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për të bërë renovimet e nevojshme, kur të lejojnë kushtet klimatike.
“Sa i përket rrjedhjes, e dini që investimet kapitale janë në kompetencë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ne si institucione lokale e kemi njoftuar Ministrinë e Arsimit se në disa periudha kohore, kryesisht në dimër ose pas reshjeve të mëdha, në disa pjesë të këtij objekti kemi rrjedhje të çatisë. Me thënë të vërtetën, edhe nga ana e shkollës edhe nga ana e komunës është intervenuar disa herë me ç’rast është sanuar ky problem. Tani e kemi njoftuar edhe ministrinë nga ku na është thënë që do të intervenohet menjëherë me përmirësimin e kohës… Besojmë që në pranverë do të sanohet dhe shpresojmë që problemi në fjalë në këtë shkollë do të zgjidhet një herë e përgjithmonë”, thotë Qazimi. Nga Komuna premtojnë se krahas intervenimeve në kulmin e shkollës, po ashtu do të montohen edhe pajisje fotovoltaike.
“Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, në çatinë e këtij objekti shkollor do të montohen edhe pajisje fotovoltanike për prodhimin e energjisë elektrike dhe ky proces do të fillojë pas një muaji dhe do të jetë objekt i parë shkollor në këtë rajon që do të ketë prodhimtarinë e vet të rrymës elektrike, ndërsa ky proces do të zhvillohet së bashku edhe me zgjidhjen e çështjes së kulmit të shkollës”, theksoi ai.
Qazimi njofton se tashmë janë angazhuar edhe ekspertë që punojnë në këtë çështje. “Edhe në objektin shkollor që është lëshuar në përdorim para 7 viteve, atëherë nuk kemi pasur ndonjë dokumentacion që tregon pranimin teknik te dokumentacionit. Ne jemi drejtuar në MASH që të na dërgojnë komplet dokumentacionin në lidhje me këtë objekt shkollor, mirëpo pavarësisht kësaj, ne kemi angazhuar ekspertë që do ta bëjnë analizën e detajuar të objektit dhe do të ofrojnë zgjidhje që do të jetë një zgjidhje rrënjësore e këtyre problemeve”, sqaroi Ahmet Qazimi, udhëheqësi i Sektorit për arsim në Komunën e Tetovës.
Ky objekt shkollor edhe pse nuk është shumë i vjetër, pasi i njëjti është lëshuar në përdorim rreth 7 vite më parë, megjithatë nga pamjet duket qarte se për një periudhë kaq të shkurtër muret janë plasaritur, pullazi pikon ujë dhe ka nevojë që të rikonstruohet për të krijuar kushte më të mira dhe më të sigurta për nxënësit. Kjo shkollë periferike numëron rreth 280 nxënës të fshatrave Poroj dhe Xhepçisht. (koha.mk)