Urim HASIPI
Tetovë, 25 janar – Në shkollën e mesme profesionale “Gjoce Stojçevski” në Tetovë ose siç njihet ndryshe edhe si shkolla e mesme tekstile, tanimë për disa vite me radhe aplikohen edhe dy drejtime te reja, siç është drejtimi “Teknik i dizajnit të veshjes” dhe drejtimi teknik i dizajnit të enterierit, mobilimit dhe prodhimeve industrial. Sipas autoriteteve të kësaj shkolle, shkruan gazeta KOHA, në drejtimin teknik i dizajnit të veshjes kjo shkollë tashmë ka përcjellë gjeneratën e parë, ndërsa drejtimi teknik i dizajnit të enterierit, mobilimit dhe prodhimeve industriale ka dy vite që ka filluar të zbatohet.
“Brend i shkollës së mesme profesionale ‘Gjoce Stojçevski’, në Tetovë ka qenë drejtimi tekstilit dhe deri në vitin 1997, kjo shkollë me statut ka qenë e regjistruar si shkollë e mesme tekstile në qytetin e Tetovës. Në kuadër të kësaj shkolle, tani, pasi që është shkollë e mesme profesionale ku veprojnë tre drejtime themelore dhe kjo do të thotë se vazhdon me traditën drejtimi i tekstil- lëkurës me profilet arsimore drejtimi teknik i konfeksionit dhe teknik të tekstilit, të cilët tanimë kanë bërë mbi 60 vjet traditë, duke nxjerrë shumë kuadro. Natyrisht që gjatë kësaj periudhe është mbajtur kujdes që të krijohet një kuadër profesional, të cilët do të realizojnë plan programet mësimore që janë në fuqi. Siç dihet, si drejtime profesionale kanë për qëllim që gjatë katër viteve të nxjerrin nxënës me njohuri teorike dhe praktike për profesione të caktuara, përkatësisht për profesionin e teknikut të konfeksionit dhe teknikut të tekstilit”, thotë për gazetën KOHA drejtori i kësaj shkolle, Abaz Abazi. Sipas tij, krahas mësimit teorik po ashtu në këtë shkollë mësimi ndiqet edhe në aspektin praktik me punëtori të modernizuara.
“Shkolla jonë i ka paralelet të zhvilluara edhe kushtet për aspektin teorik dhe kushtet për aspektin praktik, pra për marrjen e përvojës praktike, sepse në kuadër të shkollës ekzistojnë dy super punëtori të konfeksionit me 48 makina qepje, të cilat mundësojnë që nxënësit praktikën ta realizojnë këtu në kuadër të shkollës, mirëpo që të kemi një lidhshmëri të drejtpërdrejtë edhe me procesin e prodhimit ne kemi pasur raporte shumë të mira me Fabrikën e tekstilit “Teteks”, e cila i ka të hapura dyert për nxënësit e shkollës tonë dhe mundohemi që nxënësit në mënyrë të kontinuar të zhvillojnë nga një ditë vitet e dyta të tretat dhe të katërtat në punëtoritë e konfeksionit në shkollë, por duke mos harruar edhe fabrikën e Teteksit, ku sidomos drejtimi i tekstilit rregullisht pjesën praktike e realizon në bazë të plan programeve në fabrikë”, shprehet drejtori Abazi. Krahas kësaj, për shkak të deficit të kuadrit profesional në Tetovë në sferën e mobilimit, me iniciativë të vet tregtarëve dhe shkollës është hapur një drejtim që në të ardhmen mos ketë mungesë të kuadrit në këtë segment.
“Për sa i përket drejtimit të ri pra drejtimit të arteve të aplikuara, në të cilën kemi dy profile arsimore pra teknik të dizajnit të veshjes dhe tani me një korrigjim të statutit për sa i përket profilit teknik i dizajnit, enterierit mobilimit dhe prodhimeve industriale prej ndryshimit që është bërë në vitin e kaluar nuk do të quhet ky profil si teknik i dizajnit të enterierit, mobilimit dhe prodhimeve industriale por do të mbaj titullin si dizajner i enterierit, mobilimit dhe prodhimeve industriale. Për sa i përket profilit të parë pra teknik i dizajnit të veshjes kemi nxjerrë një gjeneratë dhe tani vijon gjenerata e dytë, pra ka shtatë vjet traditë ky drejtim ky profil arsimorë dhe ka kushte të mira gjegjësisht ka një studio të dizajnit e hapur vitin e kaluar dhe një klasë me të gjitha pajisjet specifike që i takojnë këtij profile. Ndërsa në profilin e ri dizajner i enterierit, mobileve dhe prodhimeve industriale kemi gjeneratën e parë që është në vit të dytë, sepse është hapur në vitin shkollor 2015/2016 ku kemi të pranuar një paralele në vitin e kaluar dhe një paralele këtë vit, në shkollë ende nuk janë krijuar kushtet optimale për realizimin e pjesës praktike të këtij drejtimi, mirëpo këtu pasi që ka qenë interes i ekonomisë së vogël të qytetit të Tetovës, respektivisht ndërmarrjet të cilat merren me prodhimin e enterierit dhe mobileve si iniciativë e tyre është materializuar në shkollën tonë si profil arsimor vet ata i kanë hapur dyert për nxënësit tonë. Me këtë rast, praktikën që në vit të parë nxënësit e bëjnë në punëtoritë të këtyre ndërmarrjeve më të mëdha në qytet dhe në punëtoritë më të vogla të ndërmarrjeve që funksionojnë nëpër fshatra të cilat kanë më pak renome por që ju mundësojnë nxënësve që vijnë nga fshatrat nga vendbanimet më të afërta me këto punëtori të kryejnë pjesën praktike atje”, thekson drejtori i kësaj shkolle. Ndryshe, shkollimi në këto drejtime pranë shkollës së mesme profesionale “Gjoce Stojçevski” në Tetovë, zgjat katër vjet dhe në fund të shkollimi nxënësit formohen si kuadër profesional të teknikës së tekstilit, teknikës së konfeksionit, teknikës së dizajnit të veshjes dhe dizajner i enterierit, mobilimit dhe prodhimeve industriale. Këto drejtime, sipas drejtuesve të kësaj shkolle, janë me shumë perspektivë, pasi në tregun e Tetovës dhe më gjerë mungojnë kuadrot profesionale të cilët edhe më shumë kërkohen.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.