Shkup, 4 shtator – Kryeministri Zoran Zaev, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, ministri arsimit Arbër Ademi, kryetari i Sarajit dhe ai i Qytetit të Shkupit Blerim Bexheti e Petre Shilegov, sot shënuan fillimin e punimeve ndërtimore të sallës së sportit në shkollën e mesme të kësaj komune “Saraj”, njofton Koha.
Sipas pjesëmarrësve në vënien e gurr-themelit, salla duhet të jetë gati pas nëntë muajsh.
“Kjo sallë do të ketë sipërfaqe prej 1300 metra katrorë, me dhoma veshjeje, hapësira për rekuizita, zyra për mësimdhënësit dhe tribuna me kapacitet prej 500 karrigeve”, tha ministri Ademi.
“Pa një mbështetje dhe pa një përkrahje ndërmjet pushtetit lokal dhe pushtetit qendror, Saraji do të ishte më i mangët”, tha kryetari i Sarajit, Blerim Bexheti.
” Në salla sportive fëmijët krijojnë shprehi të mira për sport dhe kujdesen për shëndetin e tyre. Fëmijët tanë meritojnë kushte të mira për mësim dhe sport, tha mes tjerash kryeministri, Zoran Zaev.
“Jo më kot thonë “mendja e shëndoshë ne trup të shëndoshë”. Sportistët me sukseset e tyre prezantojnë shtetin”,deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Pas nëntë muajsh do të vijmë përsëri në Saraj për të zhvilluar ndeshje sportive, theksoi kryetari i Shkupit, Peter Shillegov. Për ndërtimin e kësaj salle sportive do të investohen 40 milion denarë, mjete të siguruara nga Ministria e Arsimit dhe Banka Evropiane për Zhvillim.