Sado radikale të jenë ndryshimet që realizohen në shoqërinë tone, sado të thella të jenë reformat arsimore, shkolla dhe arsimi duhet të mbeten larg dhe jashtë politikës. Arsimtarët dominohen nga inercia dhe entuziazmi për edukimin e rinisë, ndërsa politikanët nga lëvizja. Në këtë kontekst, shkolla duhet të jetë e lirë, të punoje pa kërcënime nga militant partiak
Nga Xheladin MURATI
Me konceptimin e shkollës si një institucion shoqëror – pedagogjk, edukativ – arsimor, kulturor dhe formues supozohet që në fillim se ajo është një institucion neutral në raport me politikën. Duke qenë një institucion i tillë me mision dhe funksion edukimin dhe arsimimin e njeriut, shkolla është destinuar të zhvilloj interesat kombëtare, të realizoj qëllimet e edukimit pa anshmëri politike e partiake. Neutraliteti politik – partiak i shkollës është një element themelor i sistemit demokratik pluralist. Shkolla ka mbështetjen dhe rrugën pedagogjike të saj.
Raporti i shkollës me politikën partiake mund të jetë komplementar dhe subordinar. I pari nënkupton bashkëpunim në realizimin e objektivave të shkollës, kurse i dyti imponim dhe përzierje në veprimtarinë dhe punën e shkollës. Aktualisht shkolla dhe politika qëndrojnë në raporte subordinare. Politika thellësisht përzihet në punët e shkollës dhe ky raport është i dëmshëm për edukimin dhe formimin e personalitetit të lirë, të pavarur, kreativ dhe përgjegjës.
Çështja e përzierjes së politikës dhe partisë në jetën e shkollës dhe të funksioneve pedagogjike, edukative – arsimore të saj nuk shkojnë në favor të çlirimit të saj nga politika. Madje, siç tregon praktika jonë shkolla është e robëruar nga politika, ajo është në funksion të saj dhe tërësisht varet nga ajo. Shkolla duhet të ketë autoritet pedagogjik dhe jo të bëhet poltrone e partisë politike. Si i edukojmë gjeneratat e reja sot? Të jenë njerëz demokrat, të lirë, të pavarur, kreativ dhe jo të bëhen poltron të një politike.
PREMISAT: Për të trajtuar problemin në fjalë kemi këto premisa: 1. Sytë e politikës-partisë janë në çdo vend, pra edhe në shkollë e arsim. 2. Politika-partia i kthen sytë nga nxënësit duke i thirr ata për ndihmë. 3. Politika do të ngazëllej shkollën falë dashamirësisë së saj.
QASJET DHE ASPEKTET: Politizimi i shkollës reflektohet në disa aspekte:
(1) Aspektet menaxhuese të shkollës, politika – partia vendos se kush do të zgjedhet drejtor apo zëvendës drejtor, kush do të punësohet si arsimtar, profesor, edukator, kush do të pranohet punëtor teknik e të ngjashme.
(2) Në shkollë politizohen dhe partizohen objektivat dhe përmbajtjet programore, përmbajtjet e librave shkollor, qasjet dhe organizimi i aktiviteteve kulturo-arsimore.
(3) Në shkollë politizohen sjelljet individuale të arsimtarëve, pedagogut dhe bartësve të tjerë të procesit edukativ me paraqitjet e tyre para nxënësve, me propagimin e një partie dhe sharjen e partisë tjetër, duke folur për të bëmat dhe të pabërat, duke nxit mllef dhe urrejtje për politikat partiake të partisë tjetër.
Çështja shtrohet qartë e prerë: nuk duhet të ndërhyjë politika, partia në punët e shkollës, në organizimin e jetës së saj. Në qoftë se ndërhynë shtrohet pyetja: a është ajo ndërhyrje brenda funksionit të saj, apo ajo është dhunë ndaj misionit të saj dhe nënshtrim i saj ndaj partisë? Duke qenë një institucion i rëndësishëm shoqëror e pedagogjik, ajo ka për objektiv ta zhvilloj njeriun dhe ta aftësoj për jetë e profesion. Por a mund të jetë shkolla me të vërtetë neutrale? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është tepër komplekse dhe shtron paraprakisht edhe pyetje të tjera si p.sh.: A duhet shkolla si institucion edukativ – arsimor e kulturor të jetë me të vërtetë indiferente ndaj ngjarjeve shoqërore? A mund të jetë shkolla indiferente ndaj veprimeve politike në shoqëri? Mendoj se shkolla e ka vështirë të tregoj indiferencë ndaj ndodhive shoqërore, pra edhe ndaj politikës dhe partisë politike. Është vështirë të mbyllë sytë para ngjarjeve që prekin zhvillimet shoqërore e të ngjashme. Në fund të fundit që të jetë neutrale, ajo nuk duhet të ketë njerëz, pra arsimtar, nxënës e udhëheqës. Megjithatë neutraliteti politik – partiak i shkollës është shumë domethënës dhe duhet insistuar që ajo të mbetet neutrale në kuptimin që pjesëtarët e saj që veprojnë dhe mësojnë aty nuk duhet të mbrojnë interesa, veprime politike – partiake, nuk duhet të deklarohen për parti, nuk duhet të propagojnë këtë apo atë politikë e parti. Në shkollë mos luftojnë për interesa politike e partiake. Shkolla është dhe duhet të jetë institucion edukativ – arsimor në kuptimin që ajo duhet të garantoj edukimin e drejt dhe të bën aftësimin e qytetarit për t’u marrë me politikë, por jashtë shkollës. Në përpjekjet për të depolitizuar dhe departizuar shkollën, janë të pranishme dy qëndrime apo prirje: Qëndrimi i parë është margjinalizimi politik i shkollës. Kjo supozon shkolla të jetë jashta politikës-partisë me qëllim që shkolla në mënyrë të natyrshme të zhvilloj vlerat edukative, funksionin dhe misionin e saj edukativ – arsimor duke edukuar njerëz dhe qytetar demokrat.
Qëndrimi i dytë është se nuk mund të largohet politika nga shkolla mbase ajo është institucion në fokusim të politikës. Siç vërehet të parët e pranojnë depolitizimin dhe departizimin e shkollës, ndërsa të dytët e mohojnë në emër të vlerave demokratike, madje jo vetëm në emër të interesit të çastit por të së ardhmes. Mendimi ynë konsiston në faktin se shkolla duhet të mbështetet në politikën arsimore të departizuar e cila udhëhiqet nga parime demokratike, pedagogjike, zhvillimore. Arsimtarët në shkollën demokratike realizojnë profesionin dhe statusin e tyre profesional – pedagogjik. Prandaj ata jashtë shkollës mund të përkrahin procese të reja, politikë dhe parti, por vija e kuqe mes shkollës dhe politikës-partisë duhet qartë të reflektojë. Pra, integrimi i kujdesshëm i politikës në jetën shoqërore përfshi këtu edhe mësues, arsimtar, profesor është i pashmangshëm, por jashtë shkollës. Në fakt përfshirja e tyre në proceset e zhvillimit, përdorimi i aftësive të tyre profesionale jashtë shkollës është i nevojshëm dhe i arsyeshëm. Përzierja e politikës dhe partisë në jetën e brendshme shkollore dëmton kohezionin e veprimtarisë së brendshme të saj, nxit divergjenca, bën reduktimin e veprimtarisë pedagogjike dhe edukative, ulë cilësinë e mësimit dhe devalvon suksesin e shkollës. Nuk është e rastit që depolitizimi dhe departizimi i shkollës dhe arsimit në përgjithësi është një çështje e rëndësishme në pedagogjinë tek ne dhe në pedagogjinë e arsimin në shtetet perëndimore.
KONKLUDIM: Sado radikale të jenë ndryshimet që realizohen në shoqërinë tone, sado të thella të jenë reformat arsimore, shkolla dhe arsimi duhet të mbeten larg dhe jashtë politikës. Arsimtarët dominohen nga inercia dhe entuziazmi për edukimin e rinisë, ndërsa politikanët nga lëvizja. Në këtë kontekst, shkolla duhet të jetë e lirë, të punoje pa kërcënime nga militant partiak. (koha.mk)