Shkaqet themelore të paraqitjes së dhunës janë problemet themelore të jetës së nxënësve jashtë shkollës dhe ngjarjet në shkollë. Shkolla me tërë organizimin e saj dhe potencialin profesional-pedagogjik që ka – duhet të tregoj gatishmëri për parandalimin e shkaqeve të dhunës mes nxënësve. Dhuna duhet parandaluar me çdo kusht dhe mos lejohet që bartësit e dhunës të tregohen si “mbinjerëzor” dhe si “heronj”
Nga Xheladin MURATI
Fenomeni i dhunës së fëmijëve në shkollë, veçanërisht mes moshatarëve është reale dhe normale mbase ajo paraqitet për arsye të ndryshme. Dhuna që në moshë të hershme të fëmijës mund të jetë e trashëguar nga prindërit. Mirëpo, jo gjithmonë kjo gjë është gjenetike.
PREMISAT
- Dhuna është një konflikt emocional brenda individit, nxënësit.
- Dhuna tek nxënësit paraqitet nga motive të kundërta, nga përleshje idesh dhe pakënaqësive personale.
- Dhuna paraqitet si mungesë e vlerave njerëzore dhe natyrës antinjerëzore.
- Dhuna reflekton sjellje të armiqësisë, hasmërisë, grindjeve dhe konflikteve.
QASJET DHE ASPEKTET
Ç’është sjellje e dhunshme? Sjellja e dhunshme është sjellje agresive mes fëmijëve, nxënësve kryesisht të të njëjtës moshë. Kjo manifestohet shpesh te mosha shkollore e nxënësve. Manifestimi i saj fillimisht në bazë ka agresivitetin verbal dhe agresivitetin fizik. Faktikisht kjo si synim e ka maltretimin e tjetrit apo të tjerëve që në fakt ka dy palë: të maltretuarin dhe ata që maltretojnë. Në këtë kontekst, fituesi i vërtetë i dhunës është vet dhuna, dhuna si mundësi dhe si parim ngacmimi. Burimi i dhunës dhe konfliktit janë armiqësitë, grindjet, shpërthimet e zemërimit, pakënaqësitë, xhelozia e tepruar, humbja e kontrollit të emocioneve, rrahjet, maltretimet, keqkuptimet, keqtrajtimet fizike, mosdurimi, jotoleranca e të tjera. Dhuna apo siç i thonë “bulizmi”, buron në radhë të parë, nga vetë kushtet objektive ku jeton dhe zhvillohet nxënësi, nga natyra demokratike e ambientit shkollor, nga jeta sociale në shkollë dhe raportet që ndërtohen në të.
Një nga faktorët më të rëndësishëm të përhapjes së saj janë progresi i shumanshëm shoqëror, kulturor e teknologjik. Në fakt këto faktorë keqpërdoren dhe ato reflektojnë, së pari në zgjerimin e “interesave” apo ambicieve sociale ku qarkullojnë në mënyrë të përhershme sjelljet devijante, asociale, antisociale e të ngjashme. Së dyti, shkak tjetër i paraqitjes së dhunës është ambienti jashtë shkollës, rruga, familja, udhëtimi në autobus, tubimi në salla sporti e të ngjashme. Së treti, dhuna në shkollë paraqitet edhe si pasojë e zhvillimit të shpejt të mjeteve të reja të komunikimit modern (teknik – teknologjik) ku mund të veçohet interneti, rrjetet sociale dhe më pas televizioni, filmi dhe më pak radioja, shtypi i shkruar. Së katërti, dhuna në shkollë, tek nxënësit është rezultat i imitimeve të thjeshta mekanike të sjelljes negative të të tjerëve apo imitim nga filmat, rrjetet sociale, filmi e të ngjashme. Pse imitohen modelet e sjelljes negative?
Këto mjete kanë potencial të fuqishëm informimi dhe janë në gjendje në shumë drejtime të plotësojnë funksionet komunikuese dhe të nxisin dhunë apo të jenë burim i dhunës. Në ç’mënyrë shfaqet dhuna në shkollë? Cilat janë format e paraqitjes së dhunës? Ka forma të ndryshme, por kryesisht ato janë:
– Manifestimi verbal si përqeshja, përdorja e fjalëve dhe emrave ofendues, kërcënim me fjalë, të bërtiturit, sharjet poshtëruese etj.
– Manifestimi psikik – emocional si kërcënim me shikim, grimasa, komente të papëlqyeshme dhe ofenduese, nënçmim, tregon egërsi etj. Plagët e dhunës emocionale janë të padukshme dhe shpesh kalojnë pa u vënë re nga të tjerët.
– Manifestime fizike si shtyrje, rrahje, shkatërrimi i sendeve personale, rebelim e të ngjashme.
– Manifestime sociale si gënjeshtra, mashtrime, lansimi i zërave të turpshëm, barsoleta të pahijshme, sjellje jo adekuate, kritika të vazhdueshme etj.
– Manifestimi teknologjik si dërgimi i porosive kërcënuese dhe ofenduese përmes internetit, rrjeteve sociale, fotografi, komente, sharje.
Ku qëndron,pra, specifika e paraqitjes së dhunës në shkollë? Cila janë shkaqet e dhunës? Mund të numrohen më shumë shkaqe për paraqitjen e dhunës mes fëmijëve, nxënësve, moshatarëve, por si shkaqe më të përgjithshme mund të numërojmë: xhelozinë, nevoja për kujdes apo mungesa e kujdesit, hidhërimi, hidhërimi momental, dëshira për kontroll të të tjerëve, forca ndaj të tjerëve. Dhuna lind nga përleshje idesh, lind si rezultat I forcave agresive, të kundërta me jetën shkollore, lind për shkaqe interesash. Ajo lind thjesht edhe duke imituar të tjerët në filma, në internet e gjetiu. Çfarë duhet të dinë prindërit dhe mësuesit për dhunën te fëmijët? Meqë shumë fëmijë përballen me fenomenin e dhunës dhe kjo i përshkruhet mungesës së edukatës. Megjithëkëtë, prindërit dhe mësuesit janë më të vlefshmit për parandalimin e saj. Nuk është e mjaftueshme vetëm tu flitet fëmijëve si duhet të sjellen në shoqëri, në rrugë, në shkollë e të ngjashme. Më e rëndësishme është të jesh shembull i mirë, sepse fëmijët më së miri mësojnë duke i parë prindërit dhe edukatorët e tyre.
Prindërit duhet të kujdesen dhe të aftësohen përmes trajnimeve se si të angazhohen në parandalimin e dhunës. Pra duhet preventive e mirëfilltë. Në veprimin pedagogjik kjo nënkupton dy gjëra të rëndësishme: preventiva ndahet në dy pjesë: pjesa kauzale, pra zbulimin e shkaqeve të dhunës, dhe pjesa e dytë është ajo simptomatike që nënkupton ndikimin në pasojat e dhunës. Në fakt, që të dy pjesët janë efikase nëse integrohen në një kahe të veprimit. Masa për parandalimin e dhunës tek fëmijët. Preventiva apo çrrënjosja e dhunës tek fëmijët sa është komplekse po aq është edhe e vështirë, proces i gjatë. Fillimisht duhet të pajtohemi me faktin se dhuna tek fëmijët në shkollë është e pranishme. Prandaj për të evituar këtë duhet të ngrihet vetëdija. Gjithashtu është me rëndësi që arsimtarët ta përcjellin këtë fenomen dhe të aftësohen për të zbuluar rastet dhe parandaluar ate. Kjo veçanërisht është e rëndësishme në zbulimin dhe trajtimin e dhunës fizike dhe asaj emocionale.
Masat kryesore që duhet ndërmarrë janë mënjanimi i situatave që nxisin dhunë, kontrollimi i sjelljes së fëmijëve, reagimeve të tij dhe dhënia e drejtimeve, këshillave dhe përkrahje përmirësimit të sjelljes. Për të parandaluar dhunën dhe agresivitetin mes nxënësve në shkollë duhet një bashkëpunim serioz mes shkollës dhe familjes, mes prindërve dhe arsimtarëve, me pjesëmarrjen aktive të shërbimit pedagogjik.
PËRFUNDIM
Dhuna në shkollë, në mes nxënësve është fenomen i shpeshtë qoftë incidental apo i planifikuar. Ajo paraqitet në forma të ashpra dhe të ulta. Shkaqet themelore të paraqitjes së dhunës janë problemet themelore të jetës së nxënësve jashtë shkollës dhe ngjarjet në shkollë. Shkolla me tërë organizimin e saj dhe potencialin profesional-pedagogjik që ka – duhet të tregoj gatishmëri për parandalimin e shkaqeve të dhunës mes nxënësve. Dhuna duhet parandaluar me çdo kusht dhe mos lejohet që bartësit e dhunës të tregohen si “mbinjerëzor” dhe si “heronj”. (koha.mk)