Juventus do të luajë në “Camp Nou” në çerekfinalen e kthimit për Champions League, pasi ka fituar 3-0 në ndeshjen e parë në Torino. Bardhezinjtë janë favoritë për të vazhduar më tej, pavarësisht se Barcelona e tregoi, edhe në raundin e kaluar, se mund të bëj mrekullinë duke u kualifikuar pas fitores 6-1, që “anuloi” humbjen 4-0 në Paris. Ja cila ka qenë intervista e trajneri të “Zonjës së Vjetër”, Massimiliano Allegri…
“Ndeshja perfekte e Juventus është ajo që do të na jap mundësinë të kalojë turnin. Duhet të bëjmë një ndeshje shumë të kthjellët dhe të ftohtë psikologjikisht. Do të ketë momente ku duhet të mbrohemi dhe të tjera do të sulmojmë. Pastaj duhet të shënojmë. Duhet të punojmë te dobësitë e mbrojtjes katalanase dhe të shënojmë gol. Ky është synimi që kemi në “Camp Nou”. Ndeshja zgjat 95 minuta dhe duhet të tregohemi të aftë ta lexojmë dhe interpretojmë atë.”
“Nuk e di nëse beson me të vërtetë te përmbysja. Mund të them vetëm se kemi shumë respekt për Barcelonën, por nuk do të ndryshojmë mënyrën e të menduarit dhe atë që duhet të bëjmë. Duhet të bëjmë punën më të mirë të mundshme në të dyja fazat, sulm dhe mbrojtje. Ata kanë përpara tre futbollistë të rëndësishëm dhe duhet të kemi shumë kujdes, por futbollistët e mi e dinë mirë se çfarë duhet të bëjnë.”
“Për fat të mirë i kam në dispozicion të gjithë ata që mendoj se duhet ta nisin ndeshjen nga minuta e parë. Nuk do të ketë shumë ndryshime në krahasim me ndeshjen e parë, ndoshta do të ndryshojmë taktikisht.”
“Jemi një ekip i pjekur me futbollistë që kanë përvojë ndërkombëtare. Një grup që ka rritur vetëbesimin. Nuk është një provim maturimi, por një rritje e vazhdueshme sepse Juventus duhet të arrijë gjithmonë mes 8 ekipeve më të forta të Europës. Ndaj Barcelonës është një mundësi e madhe. Nesër do të jetë një tjetër etapë drejt finales, por rruga mbetet e gjatë. Duhet qetësi dhe ekuilibër.”