Gjatë muajve të verës korrik, gusht, por as në shtator nuk janë zhvilluar punime, ndërsa i njëjti vend shfrytëzohet për parking. Situata pritet të vështirësohet tani gjatë vjeshtës kur do të ketë reshje dhe kjo rrugë do të jetë e pakalueshme, thonë banorët, të cilët këtë pamje e kanë përjetuar edhe viteve të kaluara
Urim HASIPI
Tetovë, 1 tetor – Nga fundi i muajit qershor filluan punimet e fazës së parë për hapjen e bulevardit të shumëpërfolur “Bllagoja Toska” në Tetovë. Por, ende punët kanë ngelur në pjesën fillestare me vetëm rrënimin e dy objekteve të pabanueshme dhe nuk është vijuar me punët, shkruan gazeta KOHA. Gjatë muajve të verës korrik, gusht, por as në shtator nuk janë zhvilluar punime, ndërsa i njëjti vend shfrytëzohet për parking. Situata pritet të vështirësohet tani gjatë vjeshtës kur do të ketë reshje dhe kjo rrugë do të jetë e pakalueshme, thonë banorët, të cilët këtë pamje e kanë përjetuar edhe viteve të kaluara. Nga komuna informuan se po punohet intezivisht në shpronësimin e tokës së mbetur nga pronarë të tjerë, procedurë kjo e cila pritet të zgjasë deri në fund të këtij viti dhe më pas të fillohet me fazat tjera të hapjes së këtij bulevardi.
“Ne si komunë i jemi qasur seriozisht këtij problemi, që nënkupton kemi filluar me eskproprijimin dhe më pas kur të fillohet ndërhyrja e kompanisë që ka fituar tenderin, të mos ketë ndërprerje të tilla. Fillimisht pagesat do të bëhen dhe normalisht kompania, e cila fituar tenderin në ditën kur do të fillojë realizimin e punëve, të mos has në pengesa”, tha Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës. Nga Sektori për tokë ndërtimore dhe komunikacion pranë Komunës së Tetovës shprehen se në këtë mandat, hapja e këtij bulevardi do të jetë prioritet. Nga atje shpresojnë se vitin e ardhshëm do të fillohet intenzivisht të punohet.
“Ky është vetëm fillimi për hapjen e këtij bulevardi, ndërsa shpresojmë që deri në fund të vitit, të përfundojë procesi i shpronësimit me të gjithë pronarët dhe vitin tjetër të fillojë ndërtimi i trasesë së rrugës nëse eventualisht nuk ka ndonjë pengesë shtesë”, thonë nga ky sektor. Në fazën e dytë gjatë procesit të eksprorijimit do të rrënohen 19 objekte në këtë bulevard. Përndryshe, arsyetimi i autoriteteve të Komunës së Tetovës për mosrealizimin e këtij projekti ka qenë ndërtimet pa leje që janë në procedurë legalizim.
Bulevardi “Bllagoja Toska” fillon te unaza tek ish-restorant “Mema” dhe përfundon tek stadiumi i qytetit. Ky bulevard është një nga arteriet kryesore të qytetit të Tetovës, hapja e të cilit do të lehtësonte qarkullimin e automjeteve dhe njerëzve edhe në pjesët tjera të qytetit. Banorët disa herë kanë thënë se janë të gatshëm të bëjnë marrëveshje me Komunën për kompensim, por edhe ata disa herë janë shprehur skeptik rreth seriozitetit të komunës për të realizuar deri në fund këtë projekt, i cili gjithsesi sipas autoriteteve të Komunës së Tetovës, ka kosto të lartë për realizim.
Në ndërkohë, organet kompetente të Komunës së Tetovës kanë mbyllur rrugën që lidhte bulevardin e Ilindenit me spitalin e Tetovës në afërsi të urës së lumit Shkumbin. (koha.mk)