Driton ZENKU
Gostivar, 1 shkurt – Shkon në ambulancën e fshatit për të kërkuar ndihmë mjekësore. I bëjnë përshtypje hapësirat e vjetra dhe kushtet e rënduara për punë të mjekëve në këtë ambulance dhe pasi merr ndihmën e parë mjekësore merr një vendim sa human aq njerëzor, shkruan gazeta KOHA. Vendos ta vetëfinancojë rinovimin e objektit të ambulancës së fshatit. Kjo është historia e arkitektit shqiptar nga Forina e Gostivarit me punë të përkohshme në Zvicër. Sot falë atij momenti, ambulanca në të cilën shërbime mjekësore marrin mbi 15.000 banorë të Forinës e Çegranit, është bërë me pamje të re dhe plotësisht funksionale. Rifunksionalizimi i objektit, është bërë me qëllim që banorët e këtij lokaliteti, të shërbehen me asistencën mjekësore që ju ofrohet nga ekipi, në mënyrën sa më të mirë. “Ideja e donatorit nga vendbanimi jonë ishte që ne si mjek tu ofrojmë shërbime sa më të mira banorëve tonë, si në ofrimin e shërbimeve mjekësore, po ashtu edhe në përmirësimin e kushteve për punë dhe furnizim me mjetë të nevojshme për të qenë sa më funksionale kjo ambulante”, thotë për KOHA Abdulla Iseini – mjek koncesioner, për të shtuar se donatori u ka premtuar se do të vazhdoj edhe më tej në krijimin e kushteve sa më të mira në ambulancë. Deri më tani janë ndërruar pllakat qeramike të dyshemeve, është vendosur instalimi i ri i rrjetit të ujësjellësit, rrjetit elektrik, është instaluar nxehja qendrore, janë riparuar nyjet sanitare dhe meremetimi i hapësirave te brendshme, janë vendosur dyer dhe dritare te reja, ndërsa pas përmirësimit të motit do të përfundojë edhe fasadimi nga jashtë i objektit si dhe riparimi i çatisë. Mjeket e kësaj ambulance kanë bërë të ditur se ideja për rindërtimin e ambulancës ka qenë e hershëm porse është kushtëzuar nga mungesa e mjeteve financiare. Falë mërgimtarit nga Forina ideja e tyre është bërë realitet dhe sot banoret e vendbanimeve me të mëdhatë Gostivarit, Çegrani dhe Forina kane ambulancë funksionale në të cilën ofrohen të gjitha shërbimet mjekësore. Mjekët Zejnep Iseini, Abdulla Iseini dhe Mejdin Jakupi shprehet mirënjohës për gjestin human të bashkëvendasit të tyre. Në linjë të njëjtë me mjeket shprehen edhe banoret e këtyre fshatrave. Ata duke falënderuar mërgimtarin shqiptare për këtë donacion të madh shpresojnë që ky donacion të bëhet shembull për gjeneratat e reja. Ambulanca e vendosur ne mes fshatrave Forinë dhe Çegran është ndërtuar ne vitet e 70-ta. Nga ajo kohe në këtë objekt mjekësorë nuk është realizuar asnjë investim. U deshtë të kalojnë dyzet vite që ambulanca e këtyre lokaliteteve të merr pamjen e merituar dhe kjo fale një investimi me vlere 45 mije euro të një mërgimtari shqiptar me punë të përkohshme si arkitekt në Zvicër. Se veprimi i tij është human e njerëzor, tregon fakti që me kulm insiston që identiteti i tij të mos bëhet publik. Investimin e ka bërë për tu shërbyer banorëve të Zonës dhe jo për famë apo për të marrë epitetin e humanistit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.