Shkodran Mustafi stërvitet edhe nën ujë, në kërkim të ruajtjes së formës sportive, ndërsa po shijon pushimet me familjen e tij në Greqi, përpara nisjes së sezonit të ri. E ardhmja e qendërmbrojtësi shqiptaro- gjerman është ende e panjohur, pasi trajneri Unai Emery thuhet se ka hequr dorë nga shërbimet e tij.
27-vjeçari i nisi bukur pushimet verore, duke marrë pjesë në martesën e shokut të skuadrës së Arsenalit, Sead Kolasinac. Më pas, mbrojtësi iu drejtua ishullit grek, Mykonos, ku bashkë me familjen po marrin rrezet e diellit të nxehtë në Mesdhe. Ish-lojtari i kombëtares gjermane u bë VIP-i i fundit i sportit, që provoi ushqimin e përgatitur nga Salt Bae. Ai, madje, mori edhe dy fëmijët për të shijuar gatimet e kuzhinierit të famshëm.
Tepër mirënjohës, Mustafi e përshkroi foton në rrjetet sociale me statusin: “Mëngjesi me të është gjithmonë i kripur”. Sidoqoftë, ky “stacion” nuk ishte fundi i atraksioneve të mbrojtësit të Arsenalit, ende. Ai dhe bashkëshortja, Vjosa, me të cilën u martua në vitin 2017, me sa duket janë tunduar edhe nga peisazhi i ofruar prej shëtitores luksoze “Cavo Tagoo”, ku kanë bërë fotografi.
Gjithashtu, Mustafi nuk kishte frikë të ngiste edhe motorrin e malit, duke eksploruar të gjitha kthinat e ishullit të njohur. Sepse, siç pretendon ai, “argëtimi fillon aty ku përfundon asfalti”. Në pishinë, nuk mungon edhe “Shqiponja”, shenja dalluese dhe identifikuese e shqiptarëve në mbarë globin, sidomos të sportistëve.
Mbrojtësi shqiptar duket në kërkim të lumturisë së brendshme, pas një sezoni të vështirë tek Arsenali. Ai u pa edhe duke medituar, madje ndau disa fjalë të mençura popullore me ndjekësit e vet. Teksa poston foton me duart e kryqëzuara, që tregojnë rrënjët e tij shqiptare, Mustafi shkruan: “Një shqiponjë e përdor energjinë negative të një stuhie për të fluturuar edhe më lart”.
Në funksion të përgatitjeve parasezonale, mbrojtësi zhytet në detin Mesdhe për të vrapuar nën ujë, teksa mban një gur në dorë. Kësaj here, mesazhi i Mustafit është i tillë: “Vendi më i mirë për të punuar në heshtje është nën ujë”.