Shkup, 9 korrik – Shoqata e Kontrolluesve të Fluturimeve (SHKFM) në një kumtesë i përgënjeshtron informacionet në një pjesë të mediave lidhur me sigurinë në nënqiellin e Maqedonisë dhe siguron se i respektojnë dhe plotësojnë të gjitha standardet për udhëheqjen e sigurt të fluturakeve në hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut, transmeton Koha.mk
“Ky besim është shprehur prej vetë kompanive ajrore të cilat deri më tani i kanë kryer mbi 91.000 fluturime në hapësirën tonë ajrore. Apelojmë që të mos e lidhni sigurinë me ngjarjet politike aktuale për marrëdhëniet në Këshillin drejtues të M-NAV dhe Qeverinë epilogu i së cilit edhe ne si profesionistë jemi të interesuar që institucionet përkatëse sa më shpejtë ta zgjidhin”, qëndron në kumtesë.
Në kontekst të kësaj, SHKFM thekson se nuk është i saktë informacioni se aeroplani i “Turkish erlajns” më datën 5 të këtij muaji ka kërkuar të aterojë pesë herë në Shkup, por, siç kumtojnë, përkundrazi nuk ka kërkuar të aterojë asnjëherë.
“Për shkak të kushteve të këqija të motit, me kërkesë të pilotit, është dërguar të orbitojë në një zonë ku ka qenë i sigurt. Kjo është procedurë standarde, pasi kur pilotët në radarët për fatkeqësi meteorologjike, të cilët janë të instaluar në aeroplanët e tyre, do të shohin se nuk mund të fluturojnë në një hapësirë të caktuar vetë kërkojnë të fluturojnë drejt sipas tyre një hapësire të sigurt ajrore. Kushtet e motit nuk janë përmirësuar në kuadër të intervalit kohor të lejuar për pritje dhe për këtë piloti ka vendosur të kthehet në Stamboll. Nuk kanë ateruar në Ohër pasi para çdo fluturimi shtrohet plan fluturimi në të cilin midis tjerash thuhet edhe se ku do të ateronte aeroplani nëse nuk mund të aterojë në aeroportin për ku ka fluturuar. Në këtë rast është theksuar aeroporti në Tiranë ose të kthehet në Stamboll prej ku ka fluturuar. Piloti ka zgjedhur të kthehet në Stamboll pasi vendimet përfundimtare për rrjedhën e çdo fluturimi i sjellë kapiteni i fluturakes”, thuhet në kumtesë. (koha.mk)