Shkëndijës, Renovës dhe Shkupit vetëm fitorja ua mban shpresat gjallë

Shkup, 4 dhjetor – Në stadiumin e qytetit në Tetovë këtë të diele, Shkëndija do të zhvillon njërën nga ndeshjet më të rëndësishme për ecurinë e sezonit. Nënkampionët pas fitores në mesjavë ndaj Renovës, dëshmuan se nuk kanë ndërmend të dorëzohen në luftën për titull dhe vazhdojnë të mbajnë hapin me Vardarin, edhe pse kjo e fundit ka 6-të pikë epërsi. Djemtë e trajnerit Jeton Beqiri do të kërkojnë ndaj Pelisterit, që po kalon një sezon shumë të mirë, tre pikët, pasi vetëm ashtu do të ngelnin në luftë për titull, por një kiks eventual, do të rrezikonte edhe pozitën e dytë, pasi Pelisteri që mban pozitën e dytë në rast fitore do të ketë dy pikë më pak. Kapiteni kuqezi Ferhan Hasani për KOHA pohon se përcaktimi i tyre në këtë përballje është që ta mbyllin me fitore. “Përballja me Pelisterin është e fundit në kampionat për gjysmësezonin vjeshtor dhe s’do mend se përcaktimi ynë është ta mbyllim me fitore. Ka qenë një vjeshtë me shumë turbulenca pas atij suksesi historik në Evropë dhe pa marrë parasysh të gjitha ne mbesim të koncentruar të kryejmë punën tonë si duhet, ndërsa pas pushimit jam i sigurt se gjërat do të jenë ndryshe. Pelisterin e respektojmë, po bëjnë punë të mirë gjithë vjeshtës dhe e dimë se do të bëjnë çmos të na krijojnë vështirësi. Por, kam besim të plotë se nëse ne do të jemi të vërtetët, atëherë edhe këtë përballje do ta mbyllim ne favorin tonë”, deklaroi Hasani.

Edhe skuadrën tjetër tetovare Renovën e pret një përballje e rëndësishme. Bardhekaltërit do të jenë mysafir i Pobedës dhe në rast se dëshirojnë të mbajnë hapin për pozitën e tretë, atyre u nevojitet vetëm fitorja. Këtë e pohon edhe Argjent Gafuri, njëri prej futbollistëve më të mirë të skuadrës së Qatip Osmanit. “Unë mendoj se do te jetë një ndeshje e vështirë, po ne e kemi  në plan që të fitojmë tre pikët. Vetëm ky opsion na mundëson që të mbajmë gjallë shpresat për Evropë. Ajo që kërkoj nga kjo përballje është referimi. Shpresojmë që ai të jetë korrekt dhe mos të na dëmtojnë siç po na e bëjnë në çdo ndeshje”, u shpreh për KOHA Gafuri.

Ndërkohë, derbi për mbijetesë do të zhvillohet në Çair, ku Shkupi do të pret Makedonija Gj.P. Për bardhekaltërit opsion është vetëm fitorja, në të kundërtën do ti komplikojnë edhe më shumë gjërat. Por, nga ky ekip janë të vetëdijshëm se ka ardhur koha që seria e dobët të ndërpritet. Kështu mendon edhe kapiteni dhe portieri i Suad Zendeli. “E kemi parasysh të gjithë se ndoshta edhe e kemi tepruar për faktin që ka kohë që nuk kemi fituar në Çair, por tani më është koha e duhur, pasi është momenti kur me çdo kusht duhet të marrim tri pikë ndaj Makedonija Gj.P. Jemi mobilizuar dhe kemi punuar duke akumuluar energji për të dhënë dhe atomin e fundit në këtë ndeshje. Padyshim se në asnjë ndeshje nuk e kemi kursyer veten, atë që është kërkuar nga ne e kemi zbatuar në terren. Jemi një grup me karakter dhe zemër të madhe që këtë e kemi dëshmuar shumë herë. U bëj thirrje tifozërisë që në numër sa më të madh të vijnë të dielën që në ta japin përkrahje, pasi që nuk e kisha pa ndonjë herë që tribuna në Çair të jetë e zbrazur si në ndeshjen e fundit me Bregallnicën. Mbështetja dhe brohoritjet nuk kanë munguar nga ata, por i dua në numër sa më të madh, që ndeshjen e fundit të këtij gjysmë sezoni ta fitojmë dhe ta festojmë bashkë me ju, pasi që ju e meritoni këtë edhe pse ju meritoni më shumë se kjo”, tha Zendeli.  Ndryshe, në ekipin e Shkupit pas pauzës shkaku i pesë kartonëve të verdhë, rikthehet mbrojtësi Mevlan Adili, ndërsa lëndimi i të mërkurës në Kratovë i Edis Maliqit nuk ishte serioz, kështu që mbrojtja do të jetë stabile.

Në ndeshjet tjera Bregallnica do të pret Rabotniçkin, ndërsa kampioni vjeshtor Vardari do të pret Sileksin. Të gjitha ndeshjet e javës së 18 në LPFM-së do të zhvillohen të dielën në ora 13:00.

Dyshet

Shkupi – Mak.Gj.P.

Bregallnica – Rabotniçki

Pobeda – Renova

Shkëndija – Pelisteri

Vardari – Sileksi

 

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.