Shkup, 1 qershor – Skuadra e Shkëndijës ka siguruar vazhdim të kontratës me katër futbollistë që me përfundimin e sezonit 2017/2018 mbetën lojtarë të lirë, njofton klubi kuqezi, transmeton gazeta KOHA. Pas një sezoni historik në të cilin u fitua kampionati dhe Kupa, drejtuesit dhe futbollistët në fjalë gjetën akordin për vazhdim të bashkëpunimit edhe për periudhën që pason, duke firmosur kontrata të reja. Mbrojtësit Mevlan Murati (tre vite) e Bllagoja Todorovski (1+1), mesfushori Besmir Bojku (2+2) dhe sulmuesi Izair Emini (1 vit) kanë hedhur firmën në kontratat e reja dhe ata do të vazhdojnë përfaqësimin me fanellën kuqezi. Ndërkohë kryesia vazhdon të punojë intensivisht në mbylljen e bisedimeve edhe me lojtarët tjerë, për të pritur pa paqartësi fillimin e përgatitjeve verore.