Shkup, 11 shkurt – Futbollistët e Shkëndijës, pas dy ditë pushim që i morën pas rikthimit nga Antalia, u janë rikthyer seancave stërvitore, të cilat po i realizojnë në Tetovë bën të ditur faqja zyrtare e klubit kuqezin, transmeton gazeta KOHA. Pushimi dy ditor u ka ardhur mirë lojtarëve pas asaj periudhe të lodhshme në Turqi, ndërsa tani më ka nisur faza e fundit para startit të gjysmësezonit pranveror të paraparë për 19 shkurt, ndërsa kuqezinjtë do të presin në Tetovë skuadrën e Sileksit. Të enjten Brdariç ka realizuar me futbollistët dy seanca stërvitore të kombinuara me palestër para dite dhe teren pas dite, ndërsa dje skuadra ka udhëtuar drejt Sofjes, ku sot (e shtunë) në orën 13:00 sipas kohës lokale në Bullgari, do të zhvillojë testin e fundit të kësaj faze përgatitore me skuadrën e CSKA Sofjes.