Bujar KURTAJ
Shkup, 16 nëntor – Lideri aktual Shkëndija kërkon të marrë pikë në transfertën e sotme me Sileksin në Kratovë për të vazhduar rrugëtimin e saj drejt titullit të dytë. Jo vetëm kuqezinjtë, por edhe futbollistët e Sileksit po luajnë mirë këtë sezon, ndërsa këtë e dëshmon edhe pozita e tretë në tabelë dhe pikët e grumbulluara deri më tani, gjithsejtë 22, një më pak se Vardari. Kjo dëshmon se djemtë e trajnerit Qatip Osmani nuk do ta kenë lehtë dhe se i pret një “luftë” e madhe për të ardhur deri te tre pikët. Çdo hap fals, përfshi këtu edhe barazimin, do të vështirësonte gjërat duke marr parasysh se Vardari, i cili ka 23 pikë, ka dy ndeshje më pak.
Kështu të paktën mendon edhe Olsi Teqja, i cili në prag të kësaj përballje thotë se barazimi eventual për ata do të ishte njëlloj si humbje. Mirëpo, ai pranon se në Kratovë shkojnë për të fituar ndeshjen.
“Atmosfera është shumë e mirë, ekipi është përgatitur me shumë seriozitet. Çdo transfertë është e vështirë e delikate, por ne kemi eksperiencën e duhur për të shkuar në çdo vend për të fituar dhe për të marr tre pikët. Barazimi për ne dihet që është humbje, është dështim, kështu që ne shkojmë vetëm për fitore”, deklaroi për gazetën KOHA, Olsi Teqja.
FC Shkupi siç thamë e pret një përballje mjaftë e vështirë, ku në lagjen “Hekuran” do të jetë mysafir i “Skopjes”. Ajo që brengos të dyja taborët është se fusha në stadiumin “Hekuran” është shumë e papërshtatshme, ndërkohë që gjërat janë vështirësuar edhe më shumë pas reshjeve të shiut. Megjithatë, nga tabori i bardhekaltërve thonë se në rrethana të tilla do të mundohen të marrin tre pikët, të cilat do të kompensonin pikët e humbura në Çair.
“Kemi pasur kohë të mjaftueshme që të punojmë gjatë kësaj pauze, e që na ka dhënë hapësirë që të mundemi sa më lehtë të kalojmë ndeshjet e fundit të kësaj faze të kampionatit. Sigurisht se me ‘Skopjen’ nuk do të jetë aspak lehtë, shkaku që do të luajmë në një terren shumë të papërshtatshëm, ndërkohë që edhe reshjet e shiut do ta vështirësojnë edhe më shumë këtë ndeshje. Do të mundohemi të marrim tre pikë, nga fakti se kemi humbur pikë në fushë tonë. Edhe pse në secilën ndeshje kemi luajtur mirë, na ka munguar konkretizimi i rasteve e vetmja pikë e dobët e jona deri më tani”, deklaroi Asani.
Ndërkohë, trajneri i skuadrës nga Çairi, Ardian Nuhiu po ballafaqohet me probleme në prag të kësaj përballje, pasi në dyshim për shkak të lëndimeve janë Bunjamin Shabani dhe Shqiprim Taipi dhe që fati i tyre do të mësohet vetëm ditën para ndeshjes. Renova do të tentojë të ndalë kampionin aktual, skuadër e cila këtë sezon nuk është në elementin e duhur, për shkak se ata po luajnë edhe në ndeshjet e Liga Evropës dhe lodhja në mesin e lojtarëve është evidente. Kampionët aktual në Tetovë shkojnë për të fituar këtë përballje, pasi çdo kiks i radhës i tyre do ti largojë më shumë nga gara për titull. Në anën tjetër Renova me një rezultat pozitiv do të rruante hapin e saj në pozitën e mesme të tabelës. Ndërkohë, në dy përballjet tjera Pelisteri në Manastir do të pret “Akademija Pandevin”, ndërsa Rabotniçki në “Filipi i dytë” do të jetë nikoqir i Pobedës.
Të gjitha ndeshjet e kësaj xhiroje do të fillojnë në ora 13.
Dyshet:
Pelisteri-A.Pandev
Renova-Vardari
Skopje-Shkupi
Sileksi-Shkëndija
Rabotniçki-Pobeda