Shkup, 5 mars – Skuadra e Shkëndijës nuk ka arritur të shfrytëzojë kiksin e Vardarit, e cila humbi 2:1 nga Pobeda. Kuqezinjtë në derbin shqiptar me Shkupin, përkundër përpjekjeve të mëdha, nuk arritën të shkojnë më shumë se barazimi pa gola. Derisa Shkupi vazhdon tu shkaktojë probleme ekipeve të mëdha. Djemtë e trajnerit Ardian Nuhiu me sukses ndalën sulmet e vendasve, të cilët patën shumë raste nëpërmjet Besart Ibraimit, Hasanit, Zhuniorit, Cuculit, përsëri Ibraimit në pjesën e dytë, ndërsa në anën tjetër bardhekatërit rrezikuan më shumë nëpërmjet Muharem Bajramit, ndërsa një rast të mirë kishte edhe Adem. Me këtë pikë të fituar Shkëndija tani ka gjashtë pikë më pak se Vardari.
Ndryshe, edhe përkundër faktit se kishte epërsi me 0:1, Vardari në fund pësoi disfatë nga Pobeda me 2:1, ndërsa hero te skuadra nga Prilepi ishte Cvetanovski, i cili shënoi dy gola. Pelisteri ka arritur fitore të rëndësishme në transfertë me Makedonija Gj.P. me 2:1, ndërsa pa fitues ka përfunduar edhe ballafaqimi mes Bregallnicës dhe Sileksit 3:1. Të shtunën, Rabotniçki dhe Renova u ndanë në paqe, duke luajtur pa gola.
Rezultatet: Rabotniçki – Renova 0-0, Bregallnica – Sileksi 3:3, Makedonija Gj.P. – Pelisteri 1-2, Pobeda – Vardari 2-1 dhe Shkëndija – Shkupi 0-0.
Tabela: Vardari 47 pikë, Shkëndija 41, Pelisteri 36, Rabotniçki 33, Renova 28, Sileksi 28, Pobeda 19, Shkupi 18, Mak.Gj.P. 16 dhe Bregallnica 12. (koha.mk)