Shkup, 25 korrik – Udhëtimi evropian i Shkëndijës vazhdon të enjten në Vilnius të Lituanisë ku në kuadër të raundit të tretë të eliminatoreve të UEFA “Europa League” “kuqezinjtë” përballen me Trakain. Nga klubi tetovar njoftojnë se kjo do të jetë hera e katërt në histori që Shkëndija ndeshjen e parë do ta luajë si mysafire. Të enjten e kaluar në Finlandë kundër HJK Helsinkit skuadra kuqezi zhvilloi ndeshjen e 20-të të Kupat e Evropës, ku është përballur nga dy herë me 10-të kundërshtarë, pesë prej të cilëve ka arritur t’i eliminojë. Prej Partizanit të Beogradit në debutim në vitin 2011 e deri te HJK Helsinki të enjten, Shkëndija regjistron 8 fitore, 5 barazime dhe 7 disfata. Stacioni i radhës është Vilniusi i Lituanisë, ku pason përballja e parë me Trakain. Pikërisht kjo do të jetë hera e katërt në Kupat Evropiane që “kuqezinjtë” ndeshjen e parë do ta luajnë si mysafirë. Paraprakisht ka ndodhur me Partizanin në Beograd në vitin 2011, ndërsa dy herët tjera janë në udhëtimin e vitit të kaluar kur ndeshja e parë luhej jashtë kundër Neftçit të Azerbajxhanit dhe Gentit të Belgjikës.
Ndryshe, ekspedita në Vilnius do të udhëtojë të mërkurën ku do të tentojë të regjistron një histori të re, duke kërkuar rezultat pozitiv para ndeshjes kthyese e cila në program është caktuar për 3 gusht dhe në të cilën kuqezinjtë do të synojnë kalimi në plej off të UEFA “Europa League”.
Ndërkohë, ndeshja e Shkëndijës përballë Trakait në Lituani do të arbitrohet nga irlandezi Neil Dojl. Një emër i njohur për shqiptarët, edhe sepse më 10 korrik 2014 ai drejtoi sfidën e turit të parë kualifikues të “Europa League”, ku Kukësi barazoi 0-0 ndaj Kairat Almaty. Më 12 tetor 2012 Dojl ka drejtuar edhe ndeshjen kualifikuese ndërmjet përfaqësueses së 19-vjeçarëve të Italisë dhe Shqipërisë, e cila u fitua 3:0 nga të kaltrit, ndërsa mes gjashtë kartonëve të verdhë, arbitri irlandez largoi me karton të kuq nga fusha edhe një futbollist shqiptar. Katërshja e gjyqtarëve është e gjitha nga Irlanda, me Neil Dojl që në sfidën në Vilnius në orën 18:30 do të ketë si asistentë Emmet Dinan dhe Dermot Brougton, ndërsa gjyqtar i katërt është Rob Harvej.