Shkëndija e Tetovës do të luajë ditën e nesërme në orën 17:00 ndeshjen e kthimit për turin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve, ndaj rivalëve të Nome Kalju. Tetovarët nisen më të favorizuar duke qenë se kanë triumfuar në ndeshjen e parë në Estoni, me rezultatin 1-0. Në këtë mënyrë, Shkëndija mund të luajë për dy rezultate, teksa kualifikohen edhe me barazim.
Ndërkaq, një ditë para sfidës janë njohur edhe arbitrat të cilët do të gjykojnë kuqezinjtë. Arbitër kryesor do të jetë Alain Bieri, i cili në fakt nuk është një emër i panjohur për shqiptarët. Më herët arbitri zviceran ka gjykuar edhe ndeshjen miqësore të Shqipërisë ndaj Kosovës, të fituar nga Dardanët me rezultatin 0-3, ndërsa gjithashtu ka ndarë drejtësi edhe në ndeshjen mes Kukësit dhe Torpedo Kuitasi, të fituar nga verilindorët me rezultatin 2-0.
Ndërkohë, ka qenë pjesë edhe dy ndeshjeve të Shqipërisë U19, teksa ka qenë kryesor në sfidën e humbur ndaj Austrisë dhe i katërt në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë, gjithashtu të humbur. Ndërkaq, anësorë do të jenë Alain Heiniger dhe Sertak Kurnazca.
Gjyqtar kryesor: Alain BieriAsistentë: Alain Heiniger, Sertak Kurnazca
Gjyqtar i katërt: Stefan Horisberger
Vëzhgues: Miroslav Tulinger
Delegat: Gijs De Jong