Shkup, 12 shtator – Kuqezinjtë kalojnë në 1/8 e finales së Kupës së Maqedonisë pasi mundën 2:0 Kozhufin në Gjevgjeli në raundin e parë të garës më masovike në vend. Dy gola të Ibraimit dhe Imerit në pjesën e parë mjaftuan për kalim rutinore të pengesës së parë në kuadër të Kupës, ndërsa fraksioni i dytë kaloi me menaxhim të lojës nga ana e futbollistëve të Shkëndijës që nuk shpenzuan shumë energji. Kuqezinjtë që në këtë ndeshje luanin me fanella të bardha kaluan në epërsi pas vetëm 13-të minutave lojë kur Ibraimi shënoi për 1:0. Rezultati final 2:0 u vendos në minutën e 28-të kur i riu Omar Imeri lëviz bukur në zonë para se me një të majtë të fortë dhe precize të dërgojë topin në këndin e epërm të portës vendase për gol të parë zyrtar në fanellën e Shkëndijës. Në vazhdim kuqezinjtë menaxhuan lojën dhe pa shumë mund konfirmuan kualifikimin në 1/8 e finales së Kupës, ndërsa të enjten do të mësojnë emrin e rivalit për fazën e ardhshme.