Shkup, 14 shkurt – Shkëndija dhe Vardari janë ndarë në paqe në derbin e javës së 19-të ose ndeshjes së parë të sezonit pranveror duke luajtur 1-1. Kjo ndeshje u zhvillua me 20-të minuta vonesë, për shkak të borës, e cila kishte mbuluar stadiumin e qytetit në Tetovë. Pas 45 minutave të para rezultati mbetet ai i fillimit 0:0, ndërsa Radeski, Zhunior dhe kapiteni Ferhan Hasani humbën mundësi të mira për të zhbllokuar rezultatin, por në të gjtha rastet, Gaçevski doli fitues. Në pjesën e dytë, u kërcënua Vardari me anë të Popzllatanov, por i njëjti nuk realizoi nga një pozitë ideale.
Në vazhdim të pjesës së dytë të dy trajnerët freskuan formacionet, ndërsa pas disa rasteve të humbura, Vardari nëpërmjet Grnçarovit kaloi në epërsi me 0-1. Mirëpo, kuqezinjtë nuk u dorëzuan, dhe pas një aksioni mirë i organizuar, në minutën e 89-Besart Ibraimi barazoi rezultatin në 1-1. I njëjti futbollist mundej të vendos fituesin, por nuk arriti të shënojë nga një pozitë ideale. Pas këtij barazimi Vardari bëri edhe një hap fals në luftën për të mbrojtur titullin, derisa Shkëndija mbetet lidere e tabelës me tetë pikë epërsi dhe favorite për të fituar titullin e kampionit.
Skuadra e Shkupit në mënyrën më të mirë të mundshme e ka filluar sezonin pranveror. Me rezultatin e thellë 5-2 bardhekaltërit mundën skuadrën e Akademija Pandevit. Ndryshe, trim i ndeshjes te Shkupi ka qenë golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit vendor, Bllazhe Ilijoski, i cili shënoi hat-trik, edhe atë për vetëm 16-të minuta, derisa i njëjti futbollist në minutën e 56-të humbi mundësinë të shënojë edhe golin e katërt të tij, por gjuajtjen nga pika e bardhë ia ndali portieri mysafir. Fillimisht në minutën e shtatë Ilijoski shënoi për 1-0, dhjetë minuta më vonë shënoi për 2-0, ndërsa hat-trikun e tij e kompletoi në minutën e 23. Ndërkohë, tre golat tjera për Shkupin i shënuan Jasharovski dhe Stojkovski, ndërsa dy golat për skuadrën mysafire i shënuan Stoilov dhe Griofini. Pas kësaj fitore Shkupi tani mban pozitën e katërt me 26-të pikë, një më shumë se kundërshtari i sotëm.
Renova ka fituar një pikë të madhe në përballjen me Rabotniçkin duke luajtur baras 0-0. Më të mirë për disa nuanca kanë qenë “romantikët”, por nuk arritën të shënojnë golin e shumëdëshiruar. Pa fitues ka përfunduar edhe përballja mes Pobedës dhe Pelisterit 1-1. Manevski e kaloi në epërsi Pelisterin, mirëpo Danoski ka barazuar rezultatin në 1-1. Pas këtij barazimi Pobeda gjendet në pozitën e shtatë, ndërsa Pelisteri në pozitën e parafundit, pozitë kjo e cila e qon atë në Ligën e dytë.
Për shkak të të reshurave të mëdha të shiut, ku fusha në Kratovë mbeti pothuajse e mbuluar me ujë, përballja ndërmjet Sileksit dhe Skopjes nuk u luajt. Referi kryesor Marjan Markovski, pas konsultimeve që kishte me kapitenët e ekipit, solli vendim se kushtet për lojë në stadiumin në Kratovë nuk ka, me çka vendosën që e njëjta të anulohet. Derisa, u caktua termin i ri për këtë ndeshje kampionale dhe ajo do të jetë 21 shkurti.
Rezultatet:
Shkupi – A.Pandev 5:2
Shkëndija – Vardari 1-1
Rabotniçki – Renova 0-0
Pobeda – Pelisteri 1-1
Sileksi – Skopje (u anulua)