Shkup, 23 maj – Pasi fitoi titullin e kampionit të Maqedonisë, të dytin në historinë e saj, KF Shkëndija është në rrugë të mirë që të fitojë edhe një trofe, atë të Kupës së Maqedonisë, me çka do të kurorëzonte një sezon fantastik me fitimin e dy titujve. Pengesa për të realizuar këtë synim është skuadra e Pelisterit nga Manastiri, me të cilën kuqezinjtë do të përballen sonte (e mërkurë) me fillim në ora 20:00 në stadiumin “Mlladost” në Strumicë. Ndryshe, kjo finale do të jetë reprizë e finales së vitit të kaluar kur Pelisteri nëpërmjet penalltive, erdhi deri te trofeu. Ndërkaq, do të jetë kjo një mundësi e mirë për kuqezinjtë tu hakmerren atyre për finalen e humbur. Sa i përket favoritit, aty nuk ka dyshim, bindshëm avancojnë kuqezinjtë, megjithatë nga radhët e tyre, apelojnë për kujdes sepse siç thonë ata futbolli din të të ndëshkojë atëherë kur më pak e pret.
“Shkëndija që në fillim të sezonit vendosi disa synime të larta për të dalë e para në dy garat vendore. Fituam në mënyrë bindëse kampionatin dhe tani na pret finalja e Kupës. Është një ndeshje dhe ne jemi shumë të kujdesshëm për të mos lejuar befasi, sepse futbolli din të të ndëshkojë atëherë kur më pak e pret nëse qasja nuk është e duhur. Por unë besoj fuqishëm në profesionalizmin e futbollistëve të mi, do të hyjmë me respekt për kundërshtarin dhe duke dhënë maksimumin besoj në fund të fitojmë Kupën dhe me këtë t’i bashkojmë dy trofetë e këtij edicioni”, deklaroi për gazetën KOHA, trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani.
Ndërkohë, kapiteni Ferhan Hasani thotë se trofeun e Kupës do ta dërgojnë në Tetovë. “Nuk do të jetë ndeshje e lehtë sepse është finale, por si kanë rrjedhë gjërat duhet të dalim fitues sepse jemi në formë shumë të mirë. Besoj se nëse bëjmë lojën që kemi bërë deri tani atëherë pa problem do të arrijmë të fitojmë Kupën dhe të çojmë trofeun në Tetovë. Kjo do të jetë histori për Shkëndijën për të parë të dy trofetë në të njëjtën kohë në Tetovë”, tha për gazetën KOHA, kapiteni Ferhan Hasani.