Shkëndija kërkon shërbimet e Elis Bakajt bën të ditur e përditshmja sportive “Panorama-sport”, transmeton gazeta KOHA. Tetovarët kanë shfaqur interes për fantazistin, i cili prej më shumë se një muaji stërvitet te Tirana. Burime të sigurta pranë klubit kuqezi për “Panorama Sport” zbulojnë se ish-mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë është në planet e tyre. Vlen të saktësohet se futbollistit nuk i është bërë ende ofertë konkrete, megjithatë me anë të të tretëve i është bërë me dije se e kanë në listën e dëshirave për afatin kalimtar të janarit. Ndryshe, pos Bakajt, sipas kësaj gazete, kuqezinjtë kërkojnë edhe mbrojtësin e Skënderbeut Bajram Jashanica, por kjo lëvizje vështirë se mund të realizohet kur dihet se korçarët në ekip kanë vetëm dy lojtar që luajnë në repartin defensivë, Osmanin dhe Radas. Ndryshe, nuk është hera e parë që klubi nga Tetova interesohet për këtë lojtar, pasi edhe në të kaluarën kanë tentuar ta sjellin atë në Tetovë.
Në një lloj forme, kjo është edhe një “sfidë” karshi Tiranës, që pret përgjigjen përfundimtare të ish-bomberit. Kujtojmë që bardheblutë e drejtuar nga Mirel Josa e duan në ekip, megjithatë vetë Bakaj është i pavendosur për të ardhmen. Prioriteti i tij është që të luajë jashtë vendit, ndaj vetëm në fillim të vitit 2017 do të përcaktojë se kush do të jetë skuadra e tij e re. Derisa, forma e mirë që fantazisti ka sigurisht që ka përforcuar dëshirën e drejtuesve për ta rikthyer.
Nëse kjo ndodh, atëherë do të ishte e treta herë që Bakaj do të vishte fanellën e Tiranës. Në përvojat e mëparshme, ka dëshmuar se është një lojtar që arrin të bëjë diferencën. Mjafton të kujtojmë golat e shënuar në dy sezone radhazi. Edhe pse kryeqytetasit nuk kanë pasur kurrë një “pykë” të mirëfilltë, për golat ka menduar pikërisht ai, që për javë e javë të tëra u përshtat si sulmues. Dhe në një situatë kur alternativat për të afruar lojtarë cilësorë, klubi kërkon që ta gjejë zgjidhjen brenda kompleksit “Skënder Halili”. Pra, do të bëjë çmos që të “joshë” Elis Bakajn që në janar të firmosë një kontratë. Kur jemi te Shkëndija, ajo që është e sigurt është se pritet të zgjidhet çështja e trajnerit dhe më pas të mësohen edhe emrat e mundshëm që pritet të veshin fanellën kuqezi.