Shkëndija i merr Avramovskin, Vardarit?

Daniel Avramovski mendohet të jetë ‘bomba’ e madhe e merkatos së dimrit në futbollin elitar në vendin tonë! Mësohet se Shkëndija planifikon të ‘godasë’ Vardarin edhe një herë në merkato, me plane të forta për të rrëmbyer sulmuesin më të mirë të shkupjanëve, Avramovskin.

Skuadrat kuqezi në vendin tonë, Shkëndija e Tetovës dhe Vardari i Shkupit tashmë 6-të vite me rradhë diskutojnë mes një lufte të fortë titullin e kampionit, ndërsa jo rrallë dueli është zhvilluar edhe jashta fushës kur njëra tjetrës i kanë ‘hyrë në obor’, duke rrëmbyer lojtarë. Nëse në historinë më të re këtë ‘luftë’ e nisi Vardari për të angazhuar Besir Demirin, përgjigja e Shkëndijës ishte shumë më e fortë kur arriti të merrte Visar Muslin, Jakup Berishën dhe së fundmi edhe Juan Felipen që ndërkohë u nda me tetovarët. Sipas informatave të afërta me Shkëndijën në horizon shfaqet plani i fundit i tetovarëve që kanë përgatitur ofertë të majme për Avramovskin, të cilës vështirë se do të mund t’i rezistojë lojtari 24 vjeçar.

Avramovski ka nisur karrierën te skuadra e Rabotniçkit, luajti me Makedonija Gj.P. para se të dilte jashta vendit te Crvena Zvezda, OFK Beogradi dhe Vojvodina në Serbi, pastaj ishte pjesë e Olimpia Ljubljanës në Slloveni, para se të kthehej në futbollin vendor te Vardari ku zhvillon sezonin e dytë. Por duket se dimir nuk do të jetë i qetë për të dhe që tani paralajmërimet janë se do të jetë një prej lëvizjeve më bombastike që do të ofrojë merkatoja e janarit!(koha.mk)