Shkup, 1 mars – Skuadra e Shkëndijës ka arritur fitore me rezultatin 3:1 kundrejt Vardarit në stadiumin “Telekom Arena”, në kuadër të ndeshjes së parë gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë. Në këtë mënyrë kuqezinjtë nga Tetova iu hakmorën futbollistëve të Vardarit, për disfatën prej 3:1 në kuadër të kampionatit vendor. Një fitore identike prej 3:1 e Shkëndijës, njëjtë sikurse Vardari e mposhti të dielën për pikë. Që në fillim të ndeshjes u pa se djemtë e trajnerit Tomas Brdariç e donin më shumë fitoren. E morën kontrollin e lojës, posedonin më shumë topin, ndërsa në epërsi kaluan në minutën e 26’-të kur futbollisti më i mirë i kësaj ndeshje, Besart Ibraimi nga 30-të metra shënoi një eurogol nga gjuajtja e lirë. I njëjti futbollist, në momentet e fundit të pjesës së parë nga pika e bardhë shënoi për 0:2, pasi paraprakisht në mënyrë të palejuar në 16-in e tyre u ndal Megjedoviq. Në pjesën e dytë, vendasit konsoliduan radhët e tyre, ndërsa kjo solli fryt vetëm pas gjashtë minutave lojë, kur nga një penallti e dyshimtë, Felipe shënoi për 1:2. Por, ky gol vetëm ju dha krah më shumë futbollistëve tetovar, të cilët dënuan nikoqirët për mosrealizimin e dy rasteve, fillimisht nga Hamburgjian dhe më pas Grnqarovit. Në një kundërsulm mirë të organizuar, kapiteni Ferhan Hasani në minutën e 76-të, i shuajt të gjitha shpresat e vendasve për një barazim eventual, duke mposht për së treti herë portierin Aleksovski. Gol, që ndoshta mund të jetë vendimtar sa i përket asaj se kush do të plasohet në finalen e Kupës së Maqedonisë, edhe pse kanë mbetur të zhvillohen edhe 90-të minuta në ndeshjen kthyese e cila do të zhvillohet në Tetovë. Ndryshe, edhe në këtë përballje nuk munguan fyerjet kundrejt shqiptarëve, por edhe Federatës Futbollistike të Maqedonisë në krye me kryetarin e saj Illço Gjorgjioski. (koha.mk)