Bujar KURTAJ
Shkup, 17 maj – Skuadra e Shkëndijës e ka kthyer gjithë vëmendjen ka finalja e Kupës së Maqedonisë, e cila do të zhvillohet sot (e mërkurë) në stadiumin “Mlladost” në Strumicë. Kuqezinjtë pretendojnë të mbrojë trofeun e fituar vitin e kaluar kur me 2:0 mundën Rabotniçkin dhe presin takimin me përqendrim maksimal për të qenë në nivelin e duhur. Nga të dyja taborët thanë se presin ta ngrenë lartë trofeun e Kupës si dhe apeluan në anim korrekt nga dy tifozeritë, “Ballistët” dhe “Çkembari” si dhe dashamirët tjerë që do të vijnë ta përcjellin këtë ndeshje. “Jemi maksimalisht të përgatitur për këtë përballje. Siç e dini zhvillohet vetëm një ndeshje dhe nuk kemi mundësi për rikuperim. Për të fituar Kupën, duhet shumë djersë dhe mund. Apelojmë deri tek të gjithë ata që do të vijnë ta përcjellin këtë ndeshje dhe dy grupet e tifozëve, të anojnë në mënyrë korrekte dhe dashtë Zoti në fund ne të jemi ata të cilët do ti gëzohemi në fund fitores dhe për të dytën herë me radhë ta marrim dhe ta dërgojmë trofeun e Kupës në Tetovë”, tha trajneri i Shkëndijës, Erhan Selimi.
Në anën tjetër kolegu i tij Nagji Shensoi tha se për at do të jetë kjo finalja e tretë në karrierën e tij duke potencuar se trofeun ta fitojë skuadra që do të jetë më e mirë. “Për mua kjo është finalja e tretë në karrierë. Apeloj për anim korrekt dhe ndeshja të përfundon në ambiente të mira, derisa ai i cili do të jetë më i miri le ta fitojë Kupën”, u shpreh trajneri i Pelisterit. “Mendoj se do të jetë një ndeshje e madhe. Respektojmë kundërshtarin pasi në kampionat na kanë bërë shumë probleme. Dëshirojmë që sezonin ta përfundojmë me trofe, pasi vetëm në këtë mënyrë do të shpëtonim sezonin. Them që le të fitojë më i miri”, deklaroi Ardian Cuculi.
Ndërkohë, Goran Pashovski tha se pret që bashkë me Goce Todorovskin ta ngremë Kupën, atë që e bëri Mitko Stojkovski para 16-të viteve. “Pelisteri të gjithë e dimë se ku ka qenë para një viti, Ligën e dytë, ndërsa me ardhjen e kryesisë u rikonstruam dhe këtë sezon po e luajmë mirë si në kampionat, poashtu edhe në ndeshjet e Kupës ku u plasuam në finale. Jo vetëm ne futbollistët, por edhe dashamirët e Pelisterit dhe tifozët ka 16 vite qe e presin këtë ndeshje. Shpresoj se do të arrijmë të fitojmë dhe bashkë me shokun tim të skuadrës Goce Todorovskin ta ngrejmë trofeun e Kupës, gjë të cilën e bëri Mitko Stojkovski para 16-të viteve. Apeloj deri tek të gjithë që në mënyrë korrekte të përkrahin ekipin e tyre”, deklaroi Pashovski. Ndërkohë, nga FFM kanë konfirmuar edhe personat zyrtar të ndeshjes dhe arbitër kryesor do të jetë Aleksandar Stavrev, ndërsa dihej paraprakisht se delegat i finales do të jetë Komisari për Gara pranë FFM-së, Vasko Dojçinovski. Finalja e Kupës ndërmjet Shkëndijës dhe Pelisterit luhet të mërkurën në stadiumin “Mlladost” në Strumicë me fillim në orën 17:00.