Bujar KURTAJ
Shkup, 17 janar – Nga e hëna filloi afati kalimtar i janarit në Maqedoni. Derisa klubet e Ligës së parë prej më herët kanë filluar të punojnë në këtë drejtim dhe të përforcohen për sezonin pranveror. Ndryshe, Vardari, Renova, Pelisteri, Pobeda janë disa prej klubeve që kanë freskuar radhët e tyre me futbollist të ri, ndërsa gjatë ditëve në vazhdim, aktiv pritet të jenë edhe skuadra tjera.
Nga skuadrat shqiptare, KF Renova deri më tani ka qenë më aktiv. Bardhekaltërit janë përforcuar me tre lojtar cilësor, sulmuesin Filip Petkovskin dhe dy mesfushorët Lirion Ilazi dhe Pëlullumb Jusufi. Sipas asaj që Osmani e deklaroi për gazetën KOHA para disa ditëve, me këto tre lojtar, skuadra tetovare ka mbyllur listën e përforcimeve për sezonin pranveror.
Ndërkohë, dy skuadrat tjera shqiptare KF Shkëndija dhe FC Shkupi, nuk kanë bërë asnjë lëvizje. Lëvizjen e vetme të cilën e kanë bërë drejtuesit e skuadrës kuqezi, është emërimi i trajnerit të ri Tomas Brdariç. Sipas asaj që arritëm të kuptojmë, gjatë kësaj jave, kuqezinjtë në bashkëpunim me trajnerin e ri, do ti promovojnë përforcimet e reja. Derisa, ish-kampioni i trefishtë Shkupi akoma nuk ka bërë asnjë lëvizje në këtë drejtim, por nga ky klub paralajmërojnë se kanë nevojë për freski.
Kampioni aktual Vardari deri më tani ka zyrtarizuar shqiptarin Besin Demiri dhe reprezentuesin nga Gjeorgjia Gjigauri, Pelisteri solli edhe një brazilian të ri Fernando Dos Santos, pastaj futbollistin me përvojë Bazhe Ilijoski, mbrojtësin Jasmin Mecinoviq, ndërsa Pobeda e cila lufton për mbijetesë gjithashtu ka sjell edhe dy brazilian, Tijagon dhe Rafael dhe Danoskin. Derisa, janë rifreskuar edhe Sileksi dhe Bregallnica.
Mirëpo, ajo që është e sigurt dhe që ua bën më të lehtë punën drejtuesve të klubeve, është se afati kalimtar i janarit, i cili siç thamë filloi dje (e hënë) dhe i njëjti do të zgjat deri më 11 shkurt, do të kenë kohë të mjaftueshme që të angazhojnë lojtar në ato pozita për të cilat mendohen se kanë nevojë për sezonin pranveror.